fbpx

Heroi nga Kopliku, kush është Armando Broja? 20-vjeçari i lindur në Londër që refuzoi të luante për Anglinë

Shqipëria tashmë ka një hero dhe ai është Armando Broja, shkurt makthi i Hungarisë, pasi në të dy përballjet si në Elbasan Arena një muaj më parë ashtu edhe të shtunën në ‘Puskas Arena’ realizoi golat e fitores, duke i siguruar kuqezinjve 6 pikë, që të bëjnë të ëndërrosh për Botërorin e Katarit.

Po kush është Armando Broja? Shqiptari nga Kopliku ka lindur më 10 shtator 2001 në Londër, ashtu si dy motrat e tij. Ndërkohë prindërit janë rritur në Shqipëri dhe kjo është arsye që futbollisti ka zgjedhur të përfaqësojë ngjyrat kuqezi, pasi në një rrëfim të bërë nga vetë ai para dy vitesh e ka thirrur kombëtarja U-21 e Anglisë, që ai e ka refuzuar.

Formimi i tij si futbollist është i lidhur ngushtë me klubin e Chelsea-s në Premier League. Kur ishte vetëm 6 vjeç ai u rregjistrua në një ekip moshash në Londër, ndërsa në vitin 2009 kur ishte 8 vjeç u spikat nga blutë e Londrës. Për 11 vite Broja kaloi me radhë të gjithë ekipet e moshave deri më 26 shkurt 2020 ku për herë të parë firmosi kontratën profesionale me Chelsea-n për dy vite. Me 8 mars 2020 sulmuesi 1.91 i gjatë bëri debutimin me fanellën e Chelsea-s, kur në minutën e 86 mori vendin e Giroud në ndeshjen e fituar 4-0 kundër Everton.

Në sezonin 2020-2021 Broja u huazua te Vitese në Hollandë ku edhe pse ishte një ambient i ri la gjurmë tejet të rëndësishme. Sulmuesi shqiptar e mbylli sezonin mes golashënuesve, me 10 gola të realizuar në kampionatin holandez. Kjo performancë bindi Chelsea-n që t’i ofronte një kontratë 5-vjeçare që u firmos nga futbollisti më 18 korrik 2021.

Gjatë kësaj vere Broja bëri perfomanca mbreslënëse me Chelsea-n në fazën përgatitore, aq sa trajneri Tuchel i sapo shpallur kampion Europe i kërkoi të qëndronte për sezonin e ri, por Broja duke parë që duhet të konkuronte me Lukakun dhe Werner zgjodhi të huazohej te Southampton. Deri më tani 20-vjeçari ende nuk e ka siguruar një vend titullari, por në çdo ndeshje të aktivizuar ai ka mahnitur jo vetëm trajnerin, por edhe tifozët e Southampton.