fbpx

“Unë jam shqiptar” në Manastirin e Deçanit

Nga Col Mehmeti

Nga gushti i vjetit 1941, grigjës së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë iu shtuan edhe qindra mijëra ortodoksë nga Kosova dhe Maqedonia. Me tri dioqeza të reja (Prizren, Peshkopi dhe Strugë) që përkonin hapësinorisht me Kosovën, Pollogun, Dibrën dhe zonën liqenore të Ohrit dhe Prespës, autoritetit kishtar shqiptar i shtrohej një duzinë famullish e famulltarësh ortodoksë. Si një episod kryekreje i shpërfillur, KOASh pati qëndrim bujarisht tolerant ndaj klerit dhe besimtarëve ortodoksë si shtetas të rinj. Duke sfiduar parakonceptimet e asokohshme dhe të tashme, manastiret e Deçanit, Pejës, Graçanicës, Shën Bigorit dhe Shën Naumit ishin në marrëdhënie ndërvarësie me Sinodin e Shenjtë, në Tiranë. Derisa në shumë kisha ortodokse, veçmas në Maqedoni, u meshua në shqip dhe u kremtuan radhazi disa përvjetorë të mëvetësisë shqiptare, autoritetet kishtare shqiptare lejuan klerin ortodoks lokal që të përdorte për qëllime liturgjike serbishten dhe bullgarishten

Në të parën ditë të korrikut të njëmijë e nëntëqind e katërdhjetë e dyshit, oborri i kishës së Deçanit zhurmëronte nga një zallahi shumëzërëshe në shqip, italisht e serbisht. Tisi bardhezi i fotografisë që u shkrep atypëraty e ruan mjaft mirë ndjesinë e solemnitetit të asaj dite kur dyert e hierores qindravjeçare u hapën për kryeministrin shqiptar, Mustafa Merlika-Kruja. I veshur shik me kapelë borsalinë e me pallton e zbërthyer, ky burrë gjallnik 55-vjeçar po e vijonte prej ditësh vizitën e tij në tokat e lirueme që tashmë ishin pjesë gangullore e Mbretnisë së Shqipnís nën aegisin e Savojës.
Kryeministri shqiptar, Mustafa Merlika-Kruja gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit i shoqëruar nga funksionarë të shtetit si dhe ushtarakë italianë.

Një vit para se të bëhej kjo vizitë, diç më shumë se gjysma e trevës kosovare u riorganizua në tri qarqe administrative: Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Duke pasuar dekretet e tetorit 1941 dhe shkurtit 1942, banorët rezidentë të këtyre tërthoreve fituan nënshtetësinë shqiptare (Micheletta 2013: 535).

Përballë narracionit poterëmadh në Serbi që harkun kohor 1941-1944 e parakoncepton si të fundbotshëm, trupëzimi i një pjesë të madhe të truallit të Kosovës nën juridiksionin kishtar të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë është një episod së tejmi i shushatur në studimet bashkëkohore.

Dioqeza të reja në tokat e liruara

Rravgimi i vështirë i autoqefalizimit të ortodoksisë shqiptare u kurorëzua më 12 prill 1937 kur Patriarkana Ekumenike, nën drejtimin e Benjaminit I, lëshoi tomosin e mezipritur sinodal mbi “bekimin e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse në Shqipëri”. Në vitet pasuese, Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare (KOASh) në terma administrativë ishte e përpjesëtuar në katër dioqeza: Tiranë-Durrës, Korçë, Berat dhe Gjirokastër (Bedhuli 1992).

Qysh në gusht të motit 1941, Fejzi Alizoti, që ishte ngarkuar në kapacitetin e komisionarit të lartë për tokat e çliruara, kishte kërkuar që autoritetet lokale t’i drejtoheshin KOASh-it për të gjitha çështjet që ndërkallnin kishat dhe manastiret ortodokse. Të parët që kishin njohur autoritetin kishtar shqiptar kishin qenë priftërinjtë bullgarë nga rrethi i Dibrës dhe Tetovës. Siç mësojmë nga revista e asobotshme e KOASh-it Jeta Kristiane, në katedralen e Evangjelizmojt në Tiranë u dorëzuan nga imzot Kristofor Kisi si priftërinj famulltarë: Millan Jovanoviq për katundin Modriç në qarkun e Dibrës, Naum Dimo për katundin Berçevo, Tashmoronishtë dhe Gllociçë të Strugës si dhe Serafim Mihail për katundin Llazaropolë të Dibrës (Nr. 8, tetor 1941). Sipas një regjistri të brendshëm të KOASh-it, në katundet e Rekës, në qarkun e Dibrës, vepronin 12 kryepriftërinj e priftërinj.

Gjithnjë sipas organit zyrtar të Kishës Ortodokse Autoqefale, në nëntor të po atij viti, imzot Serafim Jovanoviqi, deri asokohe episkop i Prizrenit, “ardhi apostafat në Tiranë, që të marri pjesë në festën e madhe të 28 Nëntorit për Kombin Shqiptar, si dhe me hy në kontakt me autoritetet politike të këtushme” (Nëntor 1941, Nr. 9). Në festivitetin e ditës, në katedralen e Tiranës, ishte mbajtur një “tedium madhështor” ku kishte marrë pjesë edhe Serafimi i Prizrenit, i cili në fjalimin e mbajtur në serbisht, që u përkthye nga Ilia Banushi, shfaqi “ndjenjat e sinqerta të popullit të tokavet të çliruara që ushqen kundrejtë Italisë dhe Shqipërisë së Madhe”.

Në Kosovë, akullin e kishte thyer popi Simon nga Rahoveci, tok me një numër klerikësh të tjerë, që shfaqën besnikëri ndaj autoriteteve shqiptare. Pikërisht këtij Simoni, KOASh ia miratoi kërkesën që të vihej në krye të manastirit të Graçanicës (Bido 2020: 210).

Në korrik të vjetit 1942, Sinodi i Shenjtë e riorganizoi strukturën administrative kishtare ashtu që të përnjiheshin realitetet e reja. Me këtë rast u krijuan edhe dioqezat e Prizrenit, Peshkopisë dhe Strugës (Beduli 1992; Czekalski 2016). Simbas aranzhimeve të reja, çdo dioqezë ndahej në zëvendësira, në krye të të cilave qëndronte përfaqësuesi i mitropolitit ose i episkopit të ndihmuara edhe nga këshilla kishtare (dhimogjerondia). Po kështu, çdo zëvendësie i nënrenditeshin famullitë e qytetit dhe katundeve të rrethit. Në nivel famullie qëndronte prifti famulltar i ndihmuar nga dy veta të zgjedhur nga katundi ose qyteti dhe të dekretuar nga kryetari i dhioqezës. Vetëm në prill të 1944-s, Kuvendi Kombëtar miratoi ligjin e ri për t’i përnjohur aranzhimet e reja. Kështu sipas këtij dekreti, dioqeza e Strugës kishte 2 zëvendësira, 35 famulli dhe 36 famulltarë; dioqeza e Peshkopisë 4 zëvendësira, 38 famulli dhe 26 famulltarë, përderisa Prizreni nuk figuronte me asnjë zëvendësi, por me 35 famulli dhe 36 famulltarë.

Midis lojaliteteve dhe dyshimeve

I emëruar si inspektor i lartë në trevën e Kosovës, Koço Tasi, vetë ortodoks, luajti jo pak rol në bindjen e peshkopit të Prizrenit, Serafim Jovanoviq që të vihej nën autoritetin e KOASh-it. Në fillim të muajit qershor 1942, Serafimi do të qëndronte në Tiranë ku mori pjesë në mbledhjet e Sinodit të Shenjtë tok me Visarion Xhuvanin, Agathangjel Çamçen, Irine Banushin dhe Vasil Markon. Ky afrim i peshkopit prizrenas me sa duket ngallmoi njëfarë zemërimi te Sinodi i Shenjtë i Kishës Pravosllave në Beograd. Me shkresën nr. 1702 atij iu kërkua të dorëzonte një raport mbi dy udhëtimet e ndërmarra në Tiranë, bisedat e tij me përfaqësuesit kishtarë shqiptarë si dhe gjendjen në dioqezën e tij, por ai nuk iu ktheu përgjigje (Atanasije 1992: 36).

Ndër studiuesit serbë, qëndrimi i peshkopit Serafim është parë disi me rezervë e ftohësi: ai është cilësuar herë si peshkop që ndukte privilegje tok me klerikë të tjerë të pensionuar (Vasić 1991: 275) e herë si dikush që u përgjërohej ministrave e zyrtarëve të kishës për të liruar serbë të internuar (Stojković 2019: 312). Megjithatë, sipas materialit arkivor, peshkopi prizrenas në mbledhjet e Sinodit të Shenjtë, përveç besnikërisë ndaj shtetit shqiptar dhe kishës së tij autoqefale, kishte përshfaqur disa ide për përmirësimin e marrëdhënieve midis bashkësive të ndryshme fetare në tokat e liruara (Bido 2020: 210)

Ortodoksë subalternë

Pre e pafuqisë së vet dhe betejës së vështirë të shtetndërtimit, dosja shqiptare për ortodoksinë shqiptare jashtë kufijve zyrtarë askurrë nuk arriti të zërohej sa e si duhet. Të vetmet pohime rrallë e përmallë për shqiptarët ortodoksë në Kosovë e Maqedoni mund të vileshin nga korpusi publicistik serb prej viteve 1870 e këndej. Me kundrime në udhëtim e sipër, konsulli serb në Prishtinë, Branisllav Nushiq në traveologun e tij “S Kosova na sinje more: beleške s puta kroz Arbanase 1894. godine” (Nga Kosova në Detin e Kaltër: shënime nga një udhëtim mes shqiptarëve në vitin 1894) ajgëtoi gjendjen e shqiptarëve në krahinëzën e Siriniqit, të cilët, sipas tij, ishin islamizuar në fillim të shekullit të 19-të në kohën e sundimit të Jashar Pashës. Kështu, te shqiptarët e andejanshëm ruheshin ende “gjurmë të ortodoksizmit” (Nušić, 1902: 11, “Među njima su se još u veliko očuvali tragovi pravoslavlja”). Sipas tij, ata ndiznin qirinj për Shën Nikollën në kremtet e tyre të shënuara. Ai e gjeti me interes edhe kishën e Shën Trinisë, mbi Mushtisht, ku në librin e kontribuuesve ishin të regjistruar edhe banorë të fshatrave shqiptare me emra serbë.

Por bubërrime kulturore larg më minucioze janë ato të konsullit tjetër serb në Prishtinë, Todor Stankoviq. Në librin “Putne beleške po staroj Srbiji, 1871-1898” (Shënime udhëtimi në Serbinë e vjetër), duke invokuar një udhëtim të sipërmarrë në gusht 1897, ai sjell përjetimet e tij në katundin Llaushë, aty ku ndodhej ngreha e kishës së Deviqit. Sipas tij, katandia e manastirit përbëhej nga dy shtëpi me fusha, livadhe e mal. “Kjo tokë – vijon rrëfimin diplomati serb – punohej nga shqiptarët, të cilët manastirit i japin nga 400 okë grurë në vit” (Stanković 1910: 115).

Stankoviq, me këtë rast, syzoi se bindja e përgjithshme e njerëzve ishte se të sëmurit mund të gjenin kurë te ky manastir (“nalaze spasa u ovome manastiru”), gjë që yshte plot shqiptarë të pelegrinonin në këtë vend.

Gjithnjë sipas Stankoviqit, shi për këtë arsye ata nuk i bënin ndonjë qeder manastirit (id, 117: “te s toga Arnautaši i ne čine nikakve štete manastiru”). Popullata e katundeve në Drenicë dhe jashtë saj doli të ishte fort e lidhur me venerimin e kulteve dhe kremteve ortodokse, veçmas asaj të Shën Gjergjit: “Gratë shqiptare nga rrethepërqarku i Deviqit vijnë në kishë mes Pashkëve dhe Shën Gjergjit dhe ulen ndanë varrit të Shën Jonikijes….” (id., 125).

11 vjet më vonë, udhëpërshkruesja dhe antropologia britanike Edith Durham nuk u përmbajt nga habia kur në po të njëjtin manastir ndihmësi i saj e pyeti arkimandritin nëse kuptonte shqip. “Ai qeshi me zemër dhe u përgjigj ‘Unë jam shqiptar’. I lindur nga prindër shqiptarë, ai shpjegoi se kishte folur shqip vetëm si fëmijë. Por duke iu bashkuar Kishës Ortodokse, ai tani është serb, dhe serbishtja ishte më familjare për të sesa gjuha e tij amtare” (Durham 1909: 253-54).

Fati i bashkësive ortodokse shqipfolëse kazualisht ishte bërë subjekt rrahmendjesh edhe ndër diplomatë. Në shkurt 1913, konsulli austro-hungarez në Shkodër, Theodor Ippen e kishte çikur këtë çështje me konsullin rus, Aleksandr Michajlovič Petraev, i cili nuk tumirte sugjerimin që krahina e Rekës së Epërme të përfshihej brenda kufijve të shtetit shqiptar. Në bisedë e sipër, austriaku e kishte pyetur bashkëfolësin nëse manastiri i Shën Gjon Bigorit ishte sllav, përderisa përgjigjja e zyrtarit rus ishte se ky ishte një themelatë bizantine (“eine Byzantinische Gründung”). Ippeni i kishte bërë me dije asohere Petraevit se kishte mendime që ortodoksët e Rekës nuk ishin sllavë, por shqiptarë, madje burimet e tij vinin në pah se prifti dhe mësuesi i fshatit në Galiçnik flisnin një shqipe të kulluar (“vollkommen albanisch sprechen”) dhe që kjo vlente për të gjithë banorët në ato tërthore (Wernicke 1967: 74).

Nga kallogjerizmi te spastrimi etnik

Qëkurse gdhiu shekulli i njëzetë, kishat, manastiret dhe hieroret ortodokse në veri dhe jug të Sharrit ishin shndërruar në asete strategjike e ideologjike për Serbinë dhe ekspansionin e saj drejt Kosovës dhe Maqedonisë. Më 1881, historiani dhe politikani serb Millosh Milojeviq autoroi pamfletin namkeq “Naši manastiri i kaluđerstvo” (Manastiret dhe kallogjerizmi ynë). Me tonin vajtimtar se “manastiret tona po vdirren dhe janë katandisur në ndoca manastire historike”, ai e shpaloste kallogjerizmin si “pjesë e epërme e fabrikës organike dhe organizmit kombëtar” (gornji deo organskog narodnjeg sklopa i organizma).

Për Milojeviqin, manastiret në Kosovë, Epir dhe në Meteora, në fashën midis Pindit dhe Thesalisë, kishin humbur përgjithnjë për serbizmën (“su konačno propali za srpstvo”) për arsye se kombësia serbe kryesisht është shuar andejpari (“jer je se narodnost srpska tamo većinom ugasila”). Tekqë realitetet e asokohshme etnike në arealin shqiptaro-grek e bënin pesë me hiç çfarëdo mëtimi territorial, autori serb e shihte si deriçkë të vetme bartjen e relikeve të shenjtorëve si dhe vjetërsirave serbe (“mošti srpskih svetaca…sa tamošnjim starinama srpskim”) në Principatën e Serbisë (Milojević 1881: 56).

Shestime si këto, duke shfrytëzuar historinë e kallogjerizmit, sillnin “konceptin bashkëkohor të spastrimit të vullnetshëm etnik në horizontet imagjinative të lexuesve kryesisht serbë të broshurës së tij” (Rohdewald 2022: 469).

Me gjithë shterëzimet e elitave savante në Serbi, sistemit arsimor dhe letërsisë divulgative për të narrativizuar kollufitjen e tokave joserbe si rigjetje e atdheut atavik të njohur si “Stara Srbija”, termi në vetvete nuk i bënte ballë një qëmtimi sadopak të thelluar. Një dizajnim i atillë i vlerësuar si “keine korrekte” (Ippen, 1892: 3) shpërfillej njësoj si nga autoritetet osmane ashtu edhe nga konsujt evropianë, të cilët prireshin t’i quanin trevat në veri dhe jug të Sharrit si Arnavutluk.

Në fillim të viteve 1860, udhëtaret britanike Georgina Muir Mackenzie dhe Adeline Paulina Irby me një grimasë ironie vinin re sesi në terren përfyteshin të dy emërzimet. “Nëse pikas ndonjë rast të rrënimit a gjullurdisë, turqit dhe serbët përgjigjen njëjtë, ‘Çfarë pret nga Arnautlluku?’ Nëse ndalon në nemitje e admirim tek sheh një kishë të moçme, dhe thua, ‘E kush do ta kishte menduar këndejpari një ndërtesë si kjo?’, prifti që shërben si kallauzi yt të avitet e të përshpërit, ‘Ne e quajmë këtë vend Stara Serbia’” (Mackenzie dhe Irby 1877: 210).

Pasqyrë e ndarjes administrative sipas dioqezave në bazë të dekretit të Këshillit të Lartë me 15 prill 1944.

Image
Pasqyrë e ndarjes administrative sipas dioqezave në bazë të dekretit të Këshillit të Lartë me 15 prill 1944.

Desakralizim: uzurpim pronash e arbitraritet

Pas rietablimit të statusit të patrikanës për kishën serbe më 1920, rrjeti i kishave dhe manastireve që përshkonin eparkinë Rashkë-Prizren u bë një nga përfitueset të tokave në kurriz të shpronësimit të popullatës anase.

Institucionet fetare tash e tutje u bënë titullare të çifligjeve me qindra hektarë tokë që punoheshin prej fshatarëve shqiptarë. Fjala vjen, Manastiri i Deçanit nuk pati asfarë pengese për të uzurpuar pasuritë e shqiptarëve lokalë. Me 28 gusht 1927, Drejtoria e Lartë Agrare e Shkupit me vendimin nr. 2441 i jepte atij pronat e 50 familjeve të katundit Isniq. Ky vendim i paapelueshëm u pasua me sekuestrimin e tokave dhe kalimin e tyre në pronësi të manastirit.

Në këtë frymë arbitrariteti e mujshie ishte edhe vendimi i autoriteteve agrare kolonizuese që shpronësuan 20 familje shqiptare të Llaushës, tokat e të cilave i kaluan në pronësi manastirit të Deviçit (Verli 1991: 66-7).

Prej të shumëpërfolurës reformë agrare, gjithnjë sipas të dhënave zyrtare, manastiret dhe kishat e eparkisë Rashkë-Prizren u bënë hisedare të 518 hektarëve tokë shtesë. Kësodore, kur Mbretëria e Jugosllavisë u vithis, Manastiri i Deçanit zotëronte 600 hektarë tokë, Patrikana e Pejës me po aq sipërfaqe, kisha e Deviçit me 160 hektarë (Verli 2007: 288).

Shqiptarët midis diskurseve të ndryshme

Deri më 20 nëntor 1912 kur gjenerali malazez Janko Vukotiq hyri në Manastirin e Deçanit, shumica e publikimeve të brendshme murgjërore përshkoheshin nga shkrofëtima kastigimesh e fajësimesh ndaj shqiptarëve si shkatërrues kishash e vrasës priftërinjsh. Kështu, më 1864, arkimandriti i manastirit të Deçanit, Serafim Haxhi Ristiqi në broshurën propagandistike “Plač Stare Srbije” (Vajtimi i Serbisë së vjetër) i esencializonte shqiptarët si të ligë e nemesis të Krishtit: “Arnauti, najgori neprijatelji vere Kristove” (Ristić 1864: 7).

Megjithatë, observimet që vinin nga jashtë gjithherë prireshin për të vënë në spikamë realitete të tjetërfarshme të mikrokozmosit lokal. Fjala vjen, konsulli rus në Sarajevë Aleksandar Giljferding në librin e tij udhëpërshkrues të botuar më 1859 “Putovanje po Hercegovini, Bosni i Staroj Srbiji” (Udhëtime në Hercegovinë, Bosnjë dhe Serbi të vjetër), pavarësisht stancës së sertë prej pansllavisti, shkëputi dromca interesante.

Ai vinte në dukje se sikur shqiptarët të ishin fanatikë manastiri do të ishte shndërruar qyshmot në xhami, porse e vërteta ishte që ata i luteshin për shërim relikteve të mbretit të shenjtë: “Kada bi Albanci bili fanatici, davno bi ovaj krasni spomenik sv. srpskog kralja mučenika bio džamija…Poštujući dečansku svetinju i moleći se često moštima sv . kralja za ozdravljenje” (Giljferding, 1972: 174-75).

Por kur Kosova ripushtohet nga Serbia, mbas Luftës së Parë Botërore, ekzigjencat politike kërkonin që shqiptarët tash e tutje të portretoheshin si djemtë e mirë e politikisht korrektë. Kjo mantër ligjërimore përbën zemrën e pamfletit “Srpska lavra Visoki Dečani” me autor arkminadritin e Manastirit të Deçanit, Leontije Ninkoviq.

Ndërsa stivon raste të numërta që shembullzonin faktin se shqiptarët ishin të lidhur si mishi me thoin me manastirin e atyshëm, ai sajon një ndodhi më 1915 kur, pas dëbimit të ushtrisë serbe, bullgarët paskan bërë një orvatje për të konfiskuar eshtrat e Stefan Deçanit. Porse, një shqiptar vendës i paska dhënë zemër bashkëvendësve: “Pazite, Arnauti, šta radiše! Sveti Kralj neće da ide iz svoga mjesta, jer Srbija opet dolazi!” (Kujdes, shqiptarë, çfarë bëni! Krali i shenjtë nuk po largohet nga vendi i vet, se Serbia do të kthehet përsëri!) (Ninković 1923: 52).

Me sajesa të kësofarshme, hierarkia e eparkisë Rashkë-Prizren përpiqej të dëshmonte besnikërinë e shqiptarëve kundrejt shtetit. Sipas fjalëve të historianit zviceran Stefan Rohdewald, “kleriku punonte në një përqafim diskursiv të shqiptarëve nën bajrakun e shtetit të ri dhe i bashkërenduar me mediumin e mbretit, paçka se ata nuk e kishin kërkuar ta bënte këtë” (2022: 790).

Bibliografia

Atanasije, Ep, ed. Srpska Crkva u Drugom svetskom ratu. Beograd, 1992.

Beduli, Dhimitër. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë gjer në vitin 1944. Tiranë, Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, 1992.

Bido, Ardit. The Albanian Orthodox Church: A Political History, 1878–1945. United Kingdom, Taylor & Francis, 2020.

Durham, Edith, M. High Albania. London, E. Arnold, 1909.

Giljferding, Aleksandar. Putovanje po Hercegovini, Bosni i Staroj Srbiji. Sarajevo, Veselin Masleša, 1972.

Ippen, Theodor. Novibazar and Kossovo: das alte Rascien: eine Studie. Vienna: Alfred Hölder, 1892.

Mackenzie, Georgina Muir, and Irby, Adelina Paulina. Travels in the Slavonic Provinces of Turkey-in-Europe. United Kingdom, Daldy, Isbister and Company, 1877.

Micheletta, Luca. Italy, Greater Albania, and Kosovo 1939-1943. Nuova Rivista Storica, 2013 97(2), 521-542.

Milojević, Miloš, S. Naši manastiri i kaluđerstvo. Na Svete Trojice 1881.god. Beograd, Štamparija “Sv. Save” (Ribotuar Beograd, Nikola Pašić, 1997)

Ninković, Leontije. Srpska lavra Visoki Dečani. Peć, Štamparija “Dukađin”, 1923.

Nušić, Branislav. S Kosova na sinje more: beleške s puta kroz Arbanase 1894. godine. France, Édition “Slika”, 1902.

Ristić, Serafim, H. Plač Stare Srbije. Zemun, 1864.

Rohdewald, Stefan. Sacralizing the Nation Through Remembrance of Medieval Religious Figures in Serbia, Bulgaria and Macedonia. Netherlands, Brill, 2022.

Roszkowski, Wojciech, and Kofman, Jan. Biographical Dictionary of Central and Eastern Europe in the Twentieth Century. United Kingdom, Taylor & Francis, 2016.

Stanković, Todor. Putne beleške po staroj Srbiji, 1871-1898, Beograd, Stamparija D. Muncá i M. Karića, 1910.

Stojković, Boban. Prilog golgoti sveštenstva raško-prizrenske Eparhije tokom Drugog svetskog rata. Baština, 2019, (49), 311-319.

Vasić, Miroljub. KPJ i pitanje odbrane Jugoslavije od fašističkih država do 6. aprila 1941. Vojnoistorijski Glasnik, 1991 (3), 255-280.

Verli, Marenglen. Reforma agrare kolonizuese në Kosovë. Tiranë, Iliria, 1991.

Verli, Marenglen. Shqipëria dhe Kosova: historia e një aspirate. Tiranë, Botimpex, 2007.

Wernicke, Anneliese. Theodor Anton Ippen: ein österreichischer Diplomat und Albanienforscher. Germany, Harrassowitz, 1967.