fbpx

Partia shqiptare UDSH: Vota kundër Kosovës në KiE, dëshmi që kjo qeveri malazeze ka drejtim politik ruso-serb

Partia Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi ka reaguar pas votimit kundër të përfaqësueses malazeze në Këshillin e Evropës për shqyrtimit të aderimit të Kosovës, transmeton Gazeta Metro.

Kjo parti uroi kosovarët për këtë zhvillim por edhe komentoi votën kundër dhe rreshtimin e Malit të Zi, me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën për të kundërshtuar anëtarësimin potencial të Kosovës.

“Një lajm i mirë vjen sot nga Komisioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Çështjet Politike dhe Demokracinë i cili votoi të mërkurën për miratimin e një “opinioni statutor” që rekomandon që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në organizatën për të drejtat e njeriut duhet të pranohet. Anëtarët e delegacionit të Kosovës konfirmuan se 31 shtete të Këshillit të Evropës votuan pro, katër kundër dhe një abstenoi.”

“Dy anëtarë të delegacionit serb dhe anëtarë nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina votuan kundër, ndërsa një përfaqësues grek abstenoi.”

Kjo u vlerësua nga UDSH si provë e mëtutjeshme se qeveria e tanishme malazeze po vepron në të kundërt të asaj që e pretendon deklarativisht dhe se ndikohet nga Rusia e Serbia siç është kritikuar shpesh.

UDSH thekson se ishte veprim i duhur refuzimi i bashkimit në koalicionin qeverisës malazez siç kishin bërë parti të tjera shqiptare në Mal të Zi.

“Edhe një dëshmi e radhës që kjo qeveri e Malit të Zi ka marr drejtimin e politikës Ruso-Serbe. Kjo e arsyeton plotesisht refuzimin e Unionit Demokratik të Shqiptarëve që të jemi pjes e kësaj qeverie ku dominon politika pro serbe”.