fbpx

Konventa e Partisë së Lirisë miraton “nepotizmin e Metës” dhe rrëzon “konfliktin e interesit të Kryemadhit”

Konventa e Partisë së Lirisë, e cila është mbajtur këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve, miratoi propozimin e Metës për nepotizmin, ndërsa rrëzoi propozimin e Kryemadhit për konfliktin e interesit.

Nga dy propozimet e Kryemadhit është pranuar buxhetimi për gratë në fushatë elektorale në masën 50% të buxhetit të partisë.

Në fjalën e tij, Ilir Meta u shpreh se pas Konventës, Partia e Lirisë do të jetë një tjetër parti. Ai tha se nuk e ka përjashtuar Monika Kryemadhin, pasi sipas tij ajo është deputete, ka 20 mijë vota, madje më shumë se Luçiano Boçi, tha ai. “Kryemadhi po largohet me keqardhje? Kush e ka gënjyer Monikën, si largohet Monika?! Monika është deputete dhe mund të zgjidhet sa herë që dëshiron. Unë besoj se i ka mbi 20 mijë vota, dyfishin e atyre që ka Luciano Boçi.

Do i japim fund nepotizmit sepse ai e solli në atë situatë që ndihmoi mafien që të kapë të gjitha pushtetet. Kjo nuk është konventë kundër Monikës, por 5 prioritetet. Ka punë për të tërë, por nuk ka profesionistë thotë ai torollaku, i mori vulën doktorit, do t’oa marrë edhe Partisë së Lirisë ai. Jemi në këtë situatë sepse janë 500 lidhje nepotike në dogana”, tha Meta.

Kryemadhi e quajti veten “gladiatore me taka”, ndërsa Ilir Metës iu përgjigj duke i thënë se do të propozojë “Konfliktin e interesit” brenda partisë. Më tej, Kryemadhi u shpreh se më e rëndësishme për të është familja dhe jo politika. Ajo shtoi se ndjehet e keqardhur që do të largohet nga Partia e Lirisë me statutin e ri, por tha se do t’i përkushtohet fëmijëve të saj.

“Normal që ndjej keqardhje. Kam 30 vite jetë politike. Për mua familja është shumë më e rëndësishme se politika. Unë i kam ndihmuar këta të rinj e të reja, jam një akademi politike në këto 30. Megjithatë, prioritetet e Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era”, tha Kryemadhi, duke paralajmëruar një largim nga politika.