fbpx

Daçiç pas avancimit të Kosovës për në KiE: Vendim i turpshëm dhe skandaloz

Ashtu edhe siç pritej, Ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i ka penguar fakti që është miratuar në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës raporti i raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, duke pretenduar se i njëjti është i “turpshëm” dhe “skandaloz”, derisa ka shtuar se është “provë e rënies të së drejtës ndërkombëtare”.

“Vendimi i Komisionit Politik të PSSE-së për rekomandimin për pranimin e Kosovës në anëtarësim në Këshillin e Evropës është i turpshëm dhe skandaloz. Shkatërron të gjitha parimet mbi të cilat mbështetet Këshilli i Evropës, sepse për herë të parë propozohet të pranohet një territor që nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe nuk njihet ndërkombëtarisht”, ka pretenduar Daçiç në një deklaratë me shkrim të mërkurën.

Korrieri më i madh i propagandës serbe ka shtuar se ky vendim “kërcënon dhe cenon integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” dhe se paraqet “një dëshmi tjetër të rënies dhe përfundimit të së drejtës ndërkombëtare”.