fbpx

Sllovenia i thotë Serbisë të kërkojë falje, kurthi i pretenduar në OKB, Golob: Vuçiç po sillet si në ‘90

Aleksandër Vuçiç, po sillet si në vitet ’90. Kjo është pohuar nga kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, që i tërhoqi veshin presidentit të Serbisë për gjuhën e ashpër, aspak të përshtatshme, të përdorur nga ai në përballjen me Kosovën në Kombet e Bashkuara.

Reagimi erdhi për shkak të akuzës së pabazë të lëshuar nga Vuçiç ku pretendoi se “Serbia ka rënë në një kurth të ngritur SHBA, Zvicra dhe Sllovenia në këshillin e sigurimit të OKB-së”, duke iu referuar lejimit të pjesëmarrjes së 4 heroinave të Kosovës, që u mbijetuan torturave të forcave serbe në luftën e fundit.

Vuçiçi e quajti Slloveninë, “një shtet të neveritshëm”. Kryeministri Robert Golob tha se një retorikë e tillë nuk i shkon për shtat një presidenti, duke theksuar se kjo trazon raportet mes Lubjanës dhe Beogradit.

“Deklarata të tilla na kujtojnë një periudhë ta kaluar tashmë dhe janë poshtë nivelit të marrëdhënieve mes të dyja vendeve. Një sjellje me respekt është më e pakta që ne presim nga presidenti i Serbisë miqësore”, tha Golob.

Ministria e jashtme thirri për sqarime udhëheqësin e ambasadës serbe në Lubjanë për deklaratat fyese të Vuçiçit.

“Ne kërkojmë një shpjegim dhe një kërkim falje. Kjo nuk është në frymën e marrëdhënieve fqinjësore apo miqësore. Nuk mund të kemi bashkëpunim nëse dikush përdor fjalë kaq ofenduese ndaj një kombi të tërë”, u shpreh Tanja Fajon.

Fajon tha se pret që Serbia të veprojë mbi bazën e vlera europiane. Vuçiç u irritua nga e vërteta e pamohueshme e krimeve të kryera nga shteti i tij ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, kur përballë iu vendosën 4 heroinat.

Zemërimi i është shtuar edhe nga fakti që Lubjana është ndër vendet mbështetëse të rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Ambasada serbe drejtohet aktualisht nga një i ngarkuar me punë, pasi Sllovenia nuk ka miratuar kandidatin e Vuçiçit, Zoran Gjorgjeviç, për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qarqet e sigurisë dhe të inteligjencës.