fbpx

Nasim Haradinaj thotë se po ngritën aktakuzat për t’i arsyetuar fondet

Ftesat nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, për pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vazhduar edhe gjatë shkurtit të këtij viti, ndërsa Prokurori i Specializuar e ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, se ka ndërmend të fillojë procedime penale, si dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.

Në mesin e mbi 250 të ftuarve për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë, në 24-orët e fundit, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së, kanë deklaruar se nuk do t’i përgjigjen kësaj Gjykate, pasi nuk e njohin këtë Gjykatë.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj ka thënë për Telegrafin se numri i të ftuarve mund të jetë mbi 250 persona, por që sipas tij në organizatën e tyre janë lajmëruar tani mbi 167 persona, pasi varet nga vullneti i tyre nëse duan të lajmërohen apo jo në organizatë, personat të cilët pranojnë ftesë.

Ndërsa, sipas tij ngritja e aktakuzave nga Prokuroria e Gjykatës Speciale bëhet për të arsyetuar fondet të cilat i kanë marrë Gjykata.

“Ngritja e aktakuzave nuk shkakton kurrfarë paniku. Nuk kemi pse me pas panik se ngritja e aktakuzës nuk do të thotë se je fajtor. Aktakuzat mund të ngritët edhe në bazë të spekulimeve. Ajo është një Gjykatë politike, natyrisht që ata duhet me ngrit aktakuza, sepse duhet me i arsyetu fondet e mëdha që i kanë hëngër. Është e natyrshme që duhet me arsyetu punën e vet, por se si do të përfundoj verdikti i gjyqësorit ajo është diçka tjetër”, tha Haradinaj.