fbpx

Ambasada ruse në RMV shpërndan postimin me mbishkrimin: “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”

Ambasada Ruse në Maqedoninë e Veriut ka shpërndarë në Twitter të dielën e 6 nëntorit një murale në Mitrovicën e Veriut e cila shkruan “Kosova është Serbi, Krimea është Rusi”.

“Krimea është Rusi, plus Luhansk, Donetsk, Zaporozhye dhe Kherson”, ishte provokimi i diplomacisë ruse në rrjet.

Publikimi nuk ka kaluar pa shkaktuar zhurmë në median sociale, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar që e dënon këtë veprim në mesin e tensioneve në veri të Kosovës.

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut urdhëroi gjatë muajit prill largimin e gjashtë diplomatëve rusë nga vendi.

“Bazuar në informacionin e marrë nga autoritetet përkatëse, gjashtë diplomatët rusë në fjalë po angazhoheshin në aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, thuhej në deklaratën e ministrisë.

Maqedonia e Veriut ngriti akuza të ngjashme kur dëboi pesë diplomatë të tjerë rusë në fund të marsit.

Mbi 400 diplomatë rusë janë dëbuar nga të paktën 20 vende.

Kjo, duke përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Spanjën, që kur Moska filloi luftën e saj të vazhdueshme kundër Ukrainës më 24 shkurt.