fbpx

Zgjedhjet presidenciale në RMV, 2 shqiptarë në garë, favorite kandidatja e opozitës maqedonase

Votuesit në Maqedoninë e Veriut iu drejtuan qendrave të votimit të mërkurën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që konsiderohet një test kyç për zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm, në te cilat opozita nacionaliste synon ti marrë pushtetin LSDM-së në pushtet.

Zgjedhjet e së mërkurës vënë përballë 7 kandiatë, ku kryesorët janë presidenti aktual pro europian Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE-ja në opozitë.

Partitë shqiptare garojnë me dy kandidatë; ministri aktual i punëve të jashtme, Bujar Osmani nga Fronti Demokratik nën drejtimin e BDI-së dhe Arben Taravari nga koalicioni VLEN i opozitës së bashkuar.

Votuesit në Maqedoninë e Veriut thanë se shpresojnë që zgjedhjet do të sjellin ndryshim.

“Mendoj se duhet të ketë ndryshime. Nuk mund të vazhdojë kështu. Nuk ka fabrika, nuk ka vende pune.”

“Besoj në ndryshime. Njerëzit janë të lodhur. Ajo që bënë këto dy breza politikanësh është e pabesueshme por historia do të shkruajë për këtë.

Sipas sondazheve kandidatja e VMRO-DMPNE, Siljanovska-Davkova pritet të sigurojë 19.2% të votave ndërsa Pendarovski 9.7%. Bujar Osmani i BDI-së parashikohet të renditet i treti me 6.6 përqind.

Sipas dispozitave ligjore në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumëse gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore, apo gjysmën e votave të mbi 1.8 milion votuesve.

Dy kandidatët me më shumë vota do ta kalojnë në raundin e dytë që pritet të mbahet më 8 maj, bashkë me zgjedhjet parlamentare.

Temat që kanë dominuar fushatën kryesisht kishin të bënin me integrimet evropiane, ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjendjen në gjyqësor dhe ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.