fbpx

Zbulohet masakra më e madhe ruse në Ukrainë

Deri në 9 mijë trupa mund të jenë groposur në një varr masiv në qytezën e Manhush, në Mariupol, i rrethuar prej javësh nga forcat ruse. Autoritetet ukrainase kanë paralajmëruar se qyteti strategjik në jug të vendit, mund të jetë skenë e masakrave më të përgjakshme në vend dhe një vështrim të parë të largët të asaj që mund të ketë ndodhur e japin pamjet satelitore të kompanisë Maxar.

Imazhet tregojnë atë që duket të jetë një varr masiv, e ku sipas autoriteteve në Ukrainë mund të jenë groposura nga 3 mijë deri në 9 mijë qytetarë. Mbi 100 mijë vetë thuhet të jenë të bllokuar në qytet, në kushte të mjerueshme e me gjithë përpjekjet për hapjen e korridoreve humanitare, vetëm pak qytetarë kanë mundur të evakuohen gjatë këtyre ditëve.

Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e plotë të Mariupolit, por qindra trupa ukrainase mbeten në bunkerët e impiantit metalurgjik të Azovstal, xhepi i fundit i rezistencës. Moska hoqi dorë nga plani për të mësyrë tunelet nëntokësore të fabrikës, duke urdhëruar forcat të fokusohen tek izolimi i zonës.

Të premten, lideri çeçen Ramazan Kadirov tha se godina administrative e metalurgjikut ishte në duar e forcave ruse. Por Shtetet e Bashkuara pretendojnë se forcat ukrainase ende kishin nën kontroll territor në Mariupol dhe e quajti pretendimin e Putinit se kishte çliruar qytetin “dezinformacion të mëtejshëm”.

Moska vijon ofensivën në rajonin lindor të Donbas, ku siç thuhet ka pushtuar 40 fshatra. Megjithatë Zelensky pretendon se fitoret janë të përkohshme.

“Ata vetëm sa po shtyjnë të pashmangshmen. Kohën kur pushtuesit do të lenë tokën tonë, përfshijë Mariupolin, qytet që vijon të rezistojë pavarësisht asaj që thonë pushtuesit”

Presidenti Volodymyr Zelenski tha në një video-mesazh se Rusia e kishte refuzuar propozimin për armëpushim me rastin e Pashkëve Ortodokse. Kjo sipas tij tregon se sa e konsiderojnë liderët e këtij shteti besim e Krishterë dhe një prej festave me të rëndësishme.