I njëjti ekip që gjeti helmetën ilire në vitin 2020, në po të njëjtin vend në Zakotorc të Peleshacit në Dalmaci të Kroacisë ka gjetur helmetën e radhës, e cila sipas analizave të para është më e vjetër sesa ajo që u gjet më herët. Është pak më ndryshe, dallohet prej faqoreve që na bëjnë të konstatojmë se kjo që është gjetur tash daton prej shekullit V – VI p.e.s., që do të thotë se është më e vjetër se e para, por detajet duhet t’i hulumtojmë edhe më”, ka thënë arkeologia Marta Kalebota
“Hrvoje e ngriti gurin dhe nisi të thërrasë se ka gjetur edhe një helmetë! Është pak të thuhet se është ndjenjë fenomenale. Jam fort e emocionuar, gjetje e mahnitshme dhe atë për të dytën herë. Kjo helmetë është gjetur nja dhjetë metra vijë ajrore prej lokacionit ku u gjet ajo e para. Është pak më ndryshe, dallohet prej faqoreve që na bëjnë të konstatojmë se kjo që është gjetur tash, daton prej shekullit V – VI p.e.s., që do të thotë se është më e vjetër se e para, por detajet duhet t’i hulumtojmë edhe më”, citohet të ketë thënë arkeologia Kalebota. Pos saj, ekipi përbëhet nga dr.sc. prof. Hrvoje Potrebic nga Departamenti i Arkeologjisë në Fakultetin Filozofik në Zagreb, i cili e gjeti helmetën, si dhe nga Domagoj Perkiq nga Muzetë e Dubrovnikut që udhëheq ekipin dhe financon gërmimet.
Kalebota ka zbuluar se helmeta u gjet në një aneks gjysmërrethor, rrethuar me gurë në një grumbull të madh, ndërsa e para u gjet në zonën pranë varrit me shumë artefakte të tjera si kopsa, rruaza, enë qeramike, qelibar e të tjera.
Arkeologët ende hamendësojnë nëse bëhet fjalë për një përkrenare që ishte dhuratë përkushtimi për një luftëtar të rënë apo nëse ishte e vlefshme për të gjithë turmën, pra nëse ishte në shërbim të varrimeve të tjera. Është në gjendje shumë të mirë, pak e lakuar në majë.
Detajet për të do të publikohen së shpejti. Arsye e dëshmuar se përse helmeta kaq të vlefshme gjenden në Zakotorc, është sigurisht Kanali i Peleshacit. Për mijëra vjet, kanali detar 12 kilometra i gjatë që ndan ishullin e Korçulës dhe gadishullin e Peleshacit, ishte dhe mbetet rruga më e sigurt dhe më e shkurtër tregtare dhe e udhëtarëve për në Dubrovnik. Kanali i Peleshacit është edhe arsye e shumë lokaliteteve të tjera arkeologjike në ishull e gadishull dhe njerëzit që jetonin aty ishin rëndom të pasur, sa për shkak të piraterisë aq edhe të tregtisë, e që dëshmohet nga artefaktet e gjetura, shumica objekte të shtrenjta. Arkeologët kanë arritur në përfundimin se përkrenarja e parë më shume gjasa u përkiste plerejëve (ose pyrejëve) ilirë, e për të dytën do të dihet më shumë pas analizës.
Marrë nga “Slobodna Dalmacija”. Përktheu: KOHA