fbpx

Xhaka shpërthen ndaj shokëve të ekipit: Duhen lojtarë me b**e

Granit Xhaka ka folur pas humbjes së Arsenal-it ndaj Newcastle, 2-0. Një rezultat që i nxori londinezët nga katërshja e parë në renditje. Tottenham mori vendin e tyre dhe të fundit që të dërgon në Champions League sezonin e ardhshëm.

Shqiptaro-zvicerani ishte tepër kritik ndaj shokëve të skuadrës pas humbjes. Ai sugjeroi se lojtarët që nuk janë të gatshëm për sfida të tilla më mirë të qëndrojnë në shtëpi.

Ndërsa duke vijuar më tej, tha se për të luajtur në Champions ose Europa League duhen lojtarë me b**e.

“Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura. Nga minuta e parë deri në të 90-ën nuk e meritonim të ishim në fushë”, tha Xhaka.

“Nuk mund t’ju shpjegoj pse. Nuk bëmë atë që ishte plani i lojës, nuk po dëgjonim trajnerin. Nëse dikush nuk është gati për këto ndeshje, le të qëndrojë në shtëpi. Nuk ka rëndësi mosha”.

“Nëse jeni nervoz, qëndroni në stol ose qëndroni në shtëpi. Duhen lojtarë me b**e për të ardhur këtu dhe për të luajtur”.

“Ndihemi shumë të zhgënjyer për njerëzit që erdhën këtu. Më vjen keq për ata (tifozët), nuk kam fjalë të tjera”, përfundoi fjalën e tij lojtari me orgjinë nga Besiana.

Premier League ka dhe një sfidë të fundit, para se të mbyllet sezoni. Tottenham-i qëndron në vendin e katërt me dy pikë më shumë se Arsenal-i.

Përballjen e fundit, Arsenal-i do e ketë ndaj Everton-it. Tottenham-i ndeshet në transfertë me Norwich-in.