Vjosa Osmani: Gjithë jetën time në politikë e kam pasur një referencë, Dr. Ibrahim Rugova

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka dalë me një shkrim pas formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së saj në krye të Kuvendit.

Duke u drejtuar qytetarëve të vendit, Osmani shkruan se e vetmja referencë e saj është ish-presidenti Ibrahim Rugova.

Osmani falënderoi partinë e saj për përkrahjen që i ka dhënë, ndërsa uron edhe një herë Albin Kurtin për marrjen e udhëheqjes së Qeverisë.

Derisa ka pasur ankesa se Qeveria Kurti nuk po i përfaqëson të gjitha rajonet, Kryeparlamentarja u premton qytetarëve se ky koalicion do të jetë për ta në cdo pëllëmbë të Kosocvës.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

Të dashur e të respektuar qytetarë,

Gjatë gjithë angazhimit tim politik, qe gati 2 dekada, një gjëje nuk i jam ndarë asnjëherë: respektimit të vullnetit tuaj.

Gjithë jetën time në politikë e kam pasur një referencë: Dr. Ibrahim Rugova.

Asnjëherë, pavarësisht pengesave gjatë rrugës, nuk kam reshtur së punuari që vullneti i qytetarëve të Republikës sonë të jetësohet.

I falenderoj të gjithë qytetarët e Kosovës që kurrë nuk u ndalën se besuari se është vota e vullneti i tyre që do të bëjnë ndryshimin e madh në vendin tonë të dashur.

I falenderoj të gjithë deputetët për besimin që të udhëheqë Kuvendin e Republikës së Kosovës, tempullin e demokracisë ku përfaqësohet sovrani. Falenderoj Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë time të 20 viteve, për besimin dhe përkrahjen.

Uroj Qeverinë e Republikës së Kosovës, udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe gjithë kabinetin qeveritar për marrjen e detyrës dhe shpresoj që me punën e tyre do të na bëjnë të gjithëve krenarë. Do të punojmë fort dhe bashkë me njëri-tjetrin e me miqtë e Kosovës që ky vend, të jetë i denjë për të mos e braktisur kurrë.

Asnjëherë, të dashur qytetarë, nuk do të harrojmë se jemi aty për Ju e për secilën pëllëmbë të Kosovës. Secili prej nesh është mirënjohës ndaj jush dhe vullnetit Tuaj, deri në përulësi.

Nderimi ynë më i madh për të gjithë ata që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë, deri edhe jetën e tyre, do të jetë nëse me nder e përgjegjësi punojmë për të gjallët dhe nëse Kosovën e bëjmë vend me të cilin krenohen gjeneratat pas nesh.

Ne, jemi Ju!

Sinqerisht e Juaja,

Vjosa Osmani-Sadriu