fbpx

“Tha një mori budallallëqesh”: Çka shkruajnë mediat rajonale për një fjalim tjetër të presidentit serb

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu drejtua sërish publikut serb.

Vuçiq mbrëmë në TV Pink ka folur ndër të tjera për sanksionet amerikane ndaj kreut të BIA-s Aleksandar Vulin, se si do të dëshironte që qytetarët e Serbisë të kishin më shumë fëmijë në vend të “shtëpive dhe maceve”, si dhe për ngjarjet në Kosovë.

Mediat rajonale “u fiksuan” më së shumti me veprimet e Vulinit.

Portali Slobodna Bosna në një tekst me titull “A është normal ky njeri: Aleksandar Vuçiq tha shumë budallallëqe, por për një të tillë do të flitet gjatë…”, transmeton ndër të tjera deklaratën e tij: “Nëse ata na jepni çdo informacion përkatës në lidhje me të, ne do të ndjekim penalisht Aleksandar Vulinin. Sigurisht që nuk ka asgjë nga këto, e di cila është arsyeja. Arsyeja është Moska dhe qëndrimi i tij ndaj Rusisë. Dhe nëse do të kisha vendosur sanksione kundër Rusisë disa ditë më parë, atëherë nuk do të kishte sanksione kundër Vulinit”.

Indexi kroat raporton edhe deklaratën e Vuçiqit se ai do ta ndjekë penalisht Vulinin nëse SHBA-të japin informacione përkatëse.

“Ai konfirmoi se është kërkuar informacion për lidhjen e Vulinit me tregtinë e drogës. Ai njoftoi se Vulin do të hiqet nëse jepet ndonjë informacion përkatës. Vuçiq ka theksuar se i është thënë se nëse vendos sanksione ndaj Rusisë, askush nga Serbia nuk do të sanksionohet”, transmeton Index.

Oslobogjenje e Sarajevës gjithashtu shkruan për gatishmërinë e Vuçiqit për të “ndjekur penalisht” Vulinin.

Ata shtojnë deklaratën e Vuçiqit se sanksionet janë vendosur ndaj Vulinit për shkak të marrëdhënies së tij me Rusinë dhe se nuk ka të bëjë me shitjen e armëve.

Mediat malazeze kanë nxjerrë nga fjalimi i Vuçiqit një pjesë për ngjarjet në atë vend, lidhur me zgjedhjet parlamentare të mbajtura së fundmi.

Natyrisht, kanë shkruar edhe për sanksionet ndaj Vulinit, si portali CDM dhe Pobjeda nga Podgorica.

Vijesti i Podgoricës transmeton një pjesë të deklaratës së Vuçiqit se ka përfunduar formimi i Qeverisë në Mal të Zi dhe se serbët kanë marrë një “shegë”.

Lajmi raporton se presidenti i Serbisë pretendon se pjesëtarët e kombit serb shihen si “faktor shqetësues”.