fbpx

“Skënderbeu fliste një italishte elegante”, historiani zbulon më shumë rreth Heroit Kombëtar

17 janari shënon përvjetori e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Për të ditur më shumë fakte rreth figurës më të rëndësishme të kombit, “Aldo Morning Show” në Tv Klan zhvilloi një bisedë me historianin Pëllumb Xhufi. Ai thotë se Skënderbeu ishte trupmadh, por nuk kishte egërsi në portret siç e kemi parë në statuja.

Pëllumb Xhufi: Po nisem nga libri i Fan Nolit, i vitit 1921 “Historia e Skënderbeut”, të cilin ai e shkruajti bazuar kryesisht në kronikat e kohës, në radhë të parë shkruar nga Marin Barleti pastaj dhe nga kronikanë të tjerë të cilët janë bazuar kryesisht te Barleti. Në ’47,  Fan Noli u detyrua të shkruajë përsëri  “Historinë e Skënderbeut” që është krejt gjë tjetër.

Aldo: Pra kemi dy versione nga Fan nOli?

Pëllumb Xhufi: Janë dy versione, njëri që është po themi divulgativ, i pari dhe i dyti që është vërtet një vepër shkencore se bazohet tashmë në vepra arkivore që ndërkohë dolën, u botuan dokumentet arkivore për Skënderbeun të cilat japin një imazh krejt tjetër të Skënderbeut, jo vetëm ai luftëtari me shpatë në bazë të të cilit janë bërë edhe portretet e Skënderbeut, edhe të gdhendura.

Aldo: Ndoshta-ndoshta, jo ai trupmadhi që njohim ne?

Pëllumb Xhufi: Jo, me trup të madh ishte Skënderbeu por nuk ishte edhe aq i egër sa e shohim te busti i Paskalit.

Historiani shton se Skënderbeu ishte diplomat i jashtëzakonshëm,  strateg dhe i kultivuar. Dokumentet e principatës së Milanos thonë se fliste edhe italisht.

Pëllumb Xhufi: Fliste një italishte elegante.

Aldo: Italisht Skënderbeu?

Pëllumb Xhufi: Po, po fliste italisht në mënyrë elegante, në atë kohë italishtja mesjetare ishte anglishtja e sotme, gjuha ndërkombëtare e asaj kohe.

Aldo: Po ku e mësoi italishten?

Pëllumb Xhufi: Shiko, ne themi  që u formua te oborri i sulltanit. Mos  kujtoni se oborri i sulltanit u mësonte arabisht fëmijëve. Vetë sulltani ishte i rrethuar nga piktorë italianë, mësues italianë.