Situatë tjetër në veri po të ishin gjermanët dhe jo francezët pas luftës? Përgjigjet ish-ministri gjerman i Mbrojtjes

Rudolf Scharping, ish-ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë në kohën e luftës në Kosovë, në intervistën për Klan Kosova ka folur edhe për pozicionimin e forcave të KFOR nëpër rajonet e ndryshme gjithandej Kosovës.

Ai është pyetur nëse situata në pjesën veriore, do të mund të ishte ndryshe nëse ajo pjesë do të ishte nën kontrollin e ushtarëve gjermanë dhe jo atyre franzecë, menjëherë pas përfundimit të luftës.

“Ne kemi një term në gjermanisht “schlaumalarei” [dikush që i pretendon që i di të gjitha], që nënkupton se pas shumë vitesh të zhvillimeve të gjithë janë më të mençur se që kanë qenë në fillim. Dhe “schlaumalarei”nuk është një shprehje e këndshme, por dua të them se jam i bindur se çdo komb ka bërë atë që ka mundur të bëjë, natyrisht ka pasur disa zhvillime të gabuara, disa gabime”, ka thënë ai.

“Por në fund shikojeni shtetin tuaj, shikojeni shtetin tuaj, ekonomia, situata në qytete dhe fshatra, perspektiva e shtetit dhe e njerëzve këtu, e kështu me radhë, gjithçka është më mirë se që ka qenë para 20 vjetësh, më mirë se para dhjetë vjetësh”.

Kur është pyetur mund të bëhej më shumë në pjesën veriore të Kosovës, Scharping, është përgjigjur: “Po, por siguria nëse nuk kuptohet si përpjekje e përbashkët nga grupe apo kombe të ndryshme në këtë rast, atëherë është e vështirë të thuhet se Kosova donte të bënte më shumë, sepse unë e di, ta marrim Mitrovicën si shembull, t’i marrim brigadat serbe përreth kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra ka ende shumë punë për të bërë, por situata është shumë më e mirë se që ishte në vitin 1999 apo në vitin 2000”.