fbpx

‘Shkelje e pashembullt e Kushtetutës’: Reagon Pallaska pas vendosjes së masave rigoroze

Juristi i njohur, Dastid Pallaska ka reaguar pas vendosjes së masave të reja nga Ministria e Shëndetësisë, duke i quajtur këto shkelje të Kushtetutës dhe të njëjta me ato që duhen marrë edhe në gjendje të jashtëzakonshme.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Pallaska ka thënë se këto masa janë shkelje e pashembullt e Kushtetutës.

“Për më keq, vendimi për masat e reja kufizuese përmban të gjitha kufizimet e gjendjes së jashtëzakonshme por jo edhe përfitimet juridike, ndër të cilat më i rëndësishmi është pezullimi automatik i detyrimeve dhe afateve ligjore.”, ka shkruar ai.

Shkrimi i plotë:

Masat e reja kufizuese të Ministrisë së Shëndetësisë paraqesin gjendje të jashtëzakonshme në secilin aspekt përveç në emër.

Për më keq, vendimi për masat e reja kufizuese përmban të gjitha kufizimet e gjendjes së jashtëzakonshme por jo edhe përfitimet juridike, ndër të cilat më i rëndësishmi është pezullimi automatik i detyrimeve dhe afateve ligjore.

Në fund, por jo për nga rëndësia, vendimi për masat e reja kufizuese paraqet shpërfillje të pashembullt të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese pasi që liria e lëvizjes sërish është kufizuar në nivel vendi – madje në shkallë edhe më të lartë – me një vendim të vetëm dhe atë pa plotësim/ndryshim të bazës ligjore e cila nga Gjykata Kushtetuese është vlerësuar si e pamjaftueshme për kufizime të tilla të lirisë së lëvizjes.