fbpx

Scholz do ta vizitojë Kosovën – Gjermania dëshiron rigjallërimin e Procesit të Berlinit

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, zhvilloi një sërë temash të rëndësisë politike dhe ekonomike si dialogu mes Kosovës dhe Serbisë si dhe nevojën për të rigjallëruar Procesin e Berlinit, me ç’rast edhe lajmëroi se do ketë një vizitë në Prishtinë.

Scholz tha se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet hap pas hapi e që të kulmojë në paqen dhe stablitetin rajonal.

“E inkurajova kryeministrin Kurti që të ketë qasje konstruktive në dialogun e Brukselit”, tha Scholz.

“Parakushti më i rëndësishëm për investime dhe vende të reja të punës për të rinjt është që të ketë stabilitet”.

Ai tha se çështjet duhet të zgjidhjen përmes marrëveshjeve konkrete, e që sigurisht se prej tyre “duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia”.

“Duhet bëhet përparim i shpejtë, dhe ne mbështesim këtë. Megjithatë ne nuk jemi arbitra dhe nuk gjykojmë kush ka të drejtë, por ofrojmë vetëm lidership. Kam përshtypje që ka vullnet për përparim”.

Kancelari gjerman rikujtoi se Gjermania është investitori më i madh në Kosovë, dhe se i mirëpret iniciativat reformuese dhe sunduese të ligjit që qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë.

Gjithashtu, tha kancelari, “qeveria federale gjermane e ka në fokusin e saj liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Megjithatë tha ai, nuk e di afatin e saktë kohor se kur mund të ndodh kjo, por se “jemi të interesuar që kjo të ndodhë sa më shpejtë”.

Mes tjerash ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

“Procesi i Berlinit ka dhënë kontribut shumë të madh rreth bashkëjetesës në Ballkan”.

Scholz gjithashtu rikujtoi se Kosova ka ende një histori ende të freskët të luftës, dhe e falënderoi për qëndrimet krah vlerave perëndimore në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.