fbpx

Porto Romano – Porti i Thatë, Kosova dhe Shqipëria qendër tregtie për shtetet e tjera të Ballkanit

Grupi holandez i inxhinierisë së infrastrukturës “Royal Haskoning” ka zbuluar detaje mbi planet për ndërtimin e një porti në Shqipëri dhe një porti të thatë në Kosovë.

Kjo pas një takimi në Holandë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Investimi prej 2 miliardë eurosh në partneritet me firmën inxhinierike shqiptare “Abkons” zbulon një transformim ambicioz të infrastrukturës detare në Shqipëri dhe transportit multimodal në Ballkanin Perëndimor.

Royal Haskoning prezantoi projekt-planin së bashku me Ramën, në qershor të këtij viti.

Më pas ata zhvilluan një takim me Qeverinë shqiptare dhe atë të Kosovës në Prishtinë.

Skema e propozuar ka si synim që operimet e Portit ekzistues të Durrësit të zhvendosen jashtë qytetit në një vendndodhje të re në Porto Romano, nëntë kilometra në veri.

Royal Haskoning thotë se porti i ri detar do të përdorë teknologjinë më të fundit të automatizimit dhe do të lidhet me rrjetet kombëtare rrugore dhe hekurudhore duke përfshirë një lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e planifikuar të portit të thatë në Kosovën fqinje.

Kështu do të mund të krijohet një qendër tregtare për pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit.

Projekti përfshin një terminal të transportit të brendshëm pranë Prishtinës, i projektuar për të lejuar të gjithë rajonin e Ballkanit të ndajë përfitimet ekonomike të portit të ri.

“Kjo është një mundësi fantastike për të vendosur një standard të ri në planifikim dhe lidhje. Skema lejon të gjithë rajonin të përfitojë nga rritja e tregtisë, mundësive dhe përmirësimeve mjedisore. Ndjej se jemi në duar të sigurta me “Royal Haskoning” dhe pres me padurim fazën tjetër”, tha kryeministri Rama.

Nga ana tjetër, Erik Oostwegel, CEO i kompanisë holandeze, theksoi se projekti do të vendosë standarde të reja për planifikimin në Shqipëri.

“Do të hapë rrugën për një strategji më koherente zhvillimi dhe do të sigurojë që vija bregdetare mahnitëse e vendit të ruhet për të mirën e banorëve dhe për të rritur aktivitetet turistike”.

Shpresohet që zhvillimi i portit të ri të fillojë funksionimin sa më shpejt në vitin 2025.