fbpx

Pasojat e reduktimeve, 25 trafo të djegura e dhjetëra qytetarë të bllokuar në ashensorë

Javëve të fundit janë shtuar problemet e qytetarëve si pasojë e krizës energjetike që ka kapluar vendin.

Mbingarkesat në sistem dhe problemet e tjera që kanë sjellë çrregullimet me rrymë ua kanë shtuar punën edhe zjarrfikësve.

Këta të fundit kanë thënë se përveç djegieve të trafove është shtuar edhe numri i qytetarëve të bllokuar në ashensorë, si pasojë e ndaljes së rrymës.

Veli Berisha ka theksuar se nuk janë të trajnuar për t’i nxjerrë të bllokuarit brenda ashensorëve, por këtë punë po e bëjnë në mënyrë vullnetare.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos mundohen t’u dalin në ndihmë të ngujuarve brenda ashensorëve sepse kësisoj, sipas tij, mund edhe t’i lëndojnë ata.

“Mirëpo tash është problemi ditëve të fundit, pasi që po ndalet rryma, është shpeshtuar problemi me ashensor. Ne si zjarrfikës, nuk kemi ndonjë trajnim special ose diçka për ashensor, çka kemi mësuar është nga përvoja, ne e bëjmë këtë punë në mënyrë vullnetare që të mos i lëmë qytetarët keq”, ka thënë Veli Berisha, zjarrfikës.

Ndërkaq zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka njoftuar se brenda kësaj kohe 25 trafo kanë marrë flakë shkaku i mbingarkesës.

Buzhala ka thënë se kjo ngarkesë po ndodh sepse një pjesë e qytetarëve nuk po e ndalin ngrohjen me rrymë.

Sipas tij, nëse rryma do të kursehej nga ta, nuk do ta kishim këtë krizë energjetike që e kemi tash.

“Po kemi pasur prishje të vazhdueshme do të thotë se janë djegë diku 25 trafo, ne i kemi zëvendësua të gjitha ato në kohën më të shkurtër. Arsyeja e vetme janë mbingarkesat në sistem, ngrohja masive e qytetarëve me energji elektrike, do të thotë secili rrjet është i dizajnuar të ofrojë energji elektrike, mund të ofroj një pjesë edhe energji termike, mirëpo jo paralel. Do të thotë aq sa ka energji elektrike të ofrojë edhe energji termike, kjo e dhunon sistemin në mënyrë të vazhdueshme, dhe kjo është e papranueshme”, ka thënë Buzhala.

Por më së shumti telashe reduktimet u kanë shkaktuar bizneseve që nuk kanë alternativë tjetër përveç rrymës.

“Probleme është duke pasur shumë. Nuk jemi duke mundur të punojmë. Ndërprerje ka, dje kemi pasur 6 orë ndërprerje. Gjysmën e produkteve nuk kemi mund t’i shërbejmë për konsumatorët”, ka thënë pronar biznesi.

Kompani të tjera private janë ankuar se dëmet që po i shkakton mungesa e rrymës janë të mëdha. Ndërkaq njëra nga to, kompania “Frutex”, ka paralajmëruar padi kundër KEDS-it për shkak të dëmeve të shkaktuara.