fbpx

Papa Françesku dënon “masakrën e Bucha-s”, ngre flamurin të ardhur nga qyteti ukrainas

Papa Françesku ka dënuar “masakrën e Bucha-s”, duke mbajtur ndër duar flamurin të ardhur nga qyteti ukrainas.

“Lajmet e fundit nga lufta në Ukrainë, në vend që të sjellin lehtësim dhe shpresë, sollën mizori të reja, si masakra e Bucha-s”, ka thënë ai.

Për të, mizoria po bëhet gjithnjë e më e tmerrshme, madje edhe kundër civilëve, grave dhe fëmijëve të pambrojtur.

“Ata janë viktima, gjaku i pafajshëm i të cilëve thërret deri në qiell”, ka theksuar Papa.

Sakaq, ai ka drejtuar thirrje për ndalimin e luftës.

“Ndaloni këtë luftë! Le të ulen armët! Ndaloni marrjet e jetëve dhe shkatërrimin”, ka vijuar.

Më pas, Papa ka shpërndarë disa vezë me çokollatë të Pashkëve për fëmijët që kishin ikur nga Ukraina.

“Këta fëmijë duhej të iknin për të arritur në një vend të sigurt. Ky është fryt i luftës. Le të mos i harrojmë ata dhe të mos harrojmë popullin ukrainas”, ka thënë Papa.

Nga ana tjetër, Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka ndodhur ndonjë masakër në Bucha, duke ofruar shpjegime të ndryshme për imazhet dhe videot që janë shfaqur.

Madje, i ka përshkruar ato si një “provokim të inskenuar”.