fbpx

Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, duke shtuar se kjo çështje duhet të zgjidhet me urgjencë.

Osmani tha se ideale do të ishte nëse nesër do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, gjatë takimit në kryenegociatorëve në Bruksel.

Sipas saj, e rëndësishme është që komuniteti ndërkombëtar, në krye me SHBA-në pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë.

“Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

Ndërsa për pjesën e dytë të propozimit, Osmani tha se autoritetet e Kosovës janë duke shqyrtuar forma që garantojnë se ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos shkojë për krim të organizuar.

“..mos të shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës” – tha ajo, duke shtuar se ka shpresa që shumë shpejt do të arrihet pajtueshmëri edhe për pikën e dytë.

Kujtojmë se nga data 1 shkurt, BQK ka nisur të zbatojë rregulloren, që përcakton se valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme është euroja.