Në Vjenë të Austrisë u kremtua “Diela e popujve (Sonntag der Völker)

Në Vjenë të Austrisë u kremtua “Sonntag der Völker“ – “Diela e popujve“, në të cilën kremtim morën pjesë aktive edhe besimtarët e Misionit Katolik Shqiptar në Austri. Tashmë është bërë traditë në Austri që të dielën e fundit të shtatorit të kremtohet e ashtuquajtura “Sonntag der Völker“ apo e “Diela e popujve“ ku bashkohen të gjitha bashkësitë katolike të gjuhëve të huaja, apo si i quajmë ne Misionet, për të falënderuar Zotin dhe për të kërkuar bekimin e tij. Njëra prej këtyre Bashkësive është edhe Misioni Katolik Shqiptar në Austri.

Meshën këtë vit e udhëhoqi kardinali i Vjenës, Eminenca e Tij Kristof Shënborn (Christoph Schönborn) me gjithë misionarët e bashkësive të huaja që kanë prejardhje nga Evropa. Katedralja ishte përplot dhe binte në sy larmia e popujve të ndryshëm të cilën i bashkon Krishti në sofrën e vet. Janë më se 20 Bashkësi me gjuhë të huaj që jetojnë e veprojnë në Austri, gjegjësisht në Vjenë.

Në fillim të meshës, besimtarët e gjashtë Misioneve, të veshur në veshje, kostume kombëtare, u afruan rreth altarit duke bartur pëlhura me ngjyra të ndryshme që quhet edhe flamurin e ylberit, pëlhura të cilat së bashku i vunë mbi altarin. Flamuri i ylberit, i cili në dekadat e fundit përdoret edhe nga grupe të ndryshme laike, u shfaq këtu përsëri në origjinalin e vet duke marrë kuptimin e tij origjinal të Besëlidhjes së Vjetër: shenjë e besëlidhjes mes Zotit dhe njeriut.

Gjatë predkut kardinali Christoph Schönborn bëri thirrje që të kemi më shumë ndjeshmëri ndaj vuajtjeve dhe nevojës së të tjerëve: në pragun tonë, para derës sonë: “Le të mos jemi të verbër ndaj Lazrit në derën tonë”, tha kardinali i Vjenës. Në pragun tonë sot nuk janë vetëm lypës të shumtë dhe njerëz me nevoja të çdolloji, por edhe migrantë dhe refugjatë, theksoi Schönborni. Në të njëjtën kohë kujtoi se njëherë edhe shumë austriakë, në mesin e tyre edhe ai dhe familja e tij ishin refugjatë që ikën nga Çekia dhe që u ndihmuan nga të tjerët. “Tani unë jam një plak dhe austriak” tha ai .

Në qendër të Ungjillittë ditës , vazhdoi kardinali, është tregimi i Shën Lukës për të pasurin, i cili injoron Lazrin e varfër para derës së tij dhe tani mbanë përgjegjësi pas vdekjes së tij. Me këtë shëmbëlltyrë, Jezusi donte jo vetëm të drejtonte një vështrim drejt botës tjetër, por përkundrazi të tregonte se veprimi i drejtë dhe i dhembshur në të tashmen është i rëndësishëm, sepse një ditë do të na kthehet. Sot ja vlen dhe është shumë e rëndësishme të dëgjoni thirrjet e të varfërve dhe nevojtarëve dhe të pyesni veten: “A e shoh nevojën e tjetrit që është këtu afër apo shikoj larg përtej? A jetojnë një botë të atyre që shikojnë larg përtej apo të atyre që shikojnë këtu afër?” Nuk bëhet fjalë këtu për ta denoncuar për parimin tonë, por për të mos humbur ndjeshmëri ndaj padrejtësive dhe nevojtarëve, vazhdoi Schönborn: “Çka ndodhi me të pasurin, ai nuk shikon më këtu afër, a është mësuar me jetën e vet të mirë sa që është bërë i verbër? Zemra e tij është mbështjellë me vjamë, ndërgjegjja e tij është heshtur, vdekur, kështu që ai nuk e sheh më Lazrin në derën e tij “.

Mesha në Katedralen e Shën Shtjefnit në Vjenë u kremtua me të gjithë besimtarët e Misionieve të ndryshme që veprojnë në Vjenë duke vërtetuar e dëshmuar kështu bashkëjetesën e grupeve të ndryshme gjuhësore.

Rektori Johannes Gönner, përgjegjësi përbashkësitë e gjuhëve të huaja në Kryedioqezën e Vjenës, duke përshëndetur të gjithë të pranishmit shprehu vlerësimin për të gjitha Misionet dhe besimtarët e tyre duke thënë se shumë të krishterë, të cilët vijnë në Vjenë nga e gjithë bota, përpiqen të sjellin “besimin dhe dëshminë” si thesare në atdheun e tyre të ri.

Besimtarët e Misionit tonë këtë vit lexuan një lutje në gjuhën shqipe dhe morën pjesë në kushtimin e dhuratave. Ata ishin të veshur në veshje kombëtare dhe gjatë gjithë kohës binin në sy çka edhe nxiti shumë besimtarë të pranishëm të bëjnë fotografime me ne ne dhe të na përshëndesin duke na falënderuar për pjesëmarrje. “E Diela e Popujve” përkujtohet në të gjitha ipeshkvijtë e Austrisë ku njëherë në vit u jepet rëndësi besimtarëve që kanë migruar në Austri. Motoja e këtij viti ishte “Të kapërcejmë ato gjëra që na ndajnë.“ Është kjo bukuria e larmisë së popujve të ndryshëm brenda Kishës Katolike. Me kërkesën e disa Konferencave Ipeshkvore, Papa Françesku shtyu edhe “Ditën Botërore të Migrantëve dhe Refugjatëve” për të dielën e fundit të Shtatorit, e cila përkon shumë mirë edhe me “të Dielën e Popujve”. Në Austri më parë kjo quhej e “diela e punëtorë vetë ftuar“ për tu shndërruar pastaj në të “dielën e takimit të popujve“ dhe tani në fund ka marrë trajtën e emërimit e “diela e popujve“ dhe kremtohet për herë të dielën e fundit të shtatorit.

Në fund të meshës të gjithë u bashkuam në oborrin e kryedioçezës në agape vëllazërore ku secili Misioni paraqitet me flamurin e tyre dhe ofron pije e ushqim nga tradita e popullit prej nga ka prejardhjen. Pjesa e Misionit tonë, duke u falënderuar besimtarëve tanë që gjithmonë janë të kujdesshëm dhe sjellin shumë ushqime, ishte si përherë shumë e pasur dhe shumë besimtarë të popujve të pranishëm shijuan nga kulinaria e popullit tonë të paraqitur në këtë agape vëllazërore.

Në fund falënderuam Zotin për gjithçka dhe u shpërndamë me shpresë se në vitin e ardhshëm do të takohemi prap dhe do ta falënderojmë Zotin për të gjitha hiret e tia që na jep gjatë udhëtimit tonë tokësor./drita.info