fbpx

Murati: 80 milionë euro në vit për veteranët, duhet pastruar listat

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se neni që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë nga Ligji për pagën minimale qysh në vitin 2017.

Murati ka thënë të martën gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi se fshirja e këtij neni është bërë me vullnet politik të atëhershëm.

“Mos te harrojmë, neni 18 që e lidh pagën minimale me pensionin e veteranëve është fshirë në vitin 2017. Fshihet neni 18 dhe kësisoj behet shkëputja e pagës se veteranit”, është shprehur Murati, derisa ka folur për kundërshtimin nga ana e veteranëve për miratimin e Projektligjit përmes të cilit rritet paga minimale në Kosovë.

Murati ka thënë po ashtu se 80 milionë euro në vit sillen pagesat për veteranët.

“Duhet të behet një pastrim i listave, fillimisht për shkak të historisë sonë për t’i trajtuar drejtë ata që njëmend kanë luftuar, duhet të bëhet diferencimi”, është shprehur Murati.

Një numër i madh i veteranëve të UÇK-së kanë protestuar të hënën para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në kohën kur pritej të hidhej në votim Projektligji për ndryshimin e pagës minimale. Protesta ka eskaluar kur protestuesit janë përpjekur që të hyjnë në ndërtesë të Kuvendit. Dy policë dhe një qytetar kanë mbetur të lënduar në protestë.

Organizatat po shprehin pakënaqësitë për mospërfshirjen e veteranëve në ngritjen e pagës minimale, që është propozuar nga Qeveria.

Projektligji nuk është votuar për shkak të mungesës së kuorumit.