Molliqaj: Selimi ishte takuar me Lushtakun, ia kishte premtuar votat e LVV-së pro rrëzimit të Speciales

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë sot se deputeti i VV-së, Rexhep Selimi kishte takuar anëtarin e PDK-së, Sami Lushtakun më 22 dhjetor të vitit 2017 dhe i kishte premtuar atij votat e Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Molliqajt, Selimi dhe Lushtaku ishin pajtuar për votimin e ligjit që do të shpërbënte Gjykatën Speciale, bazuar në një iniciativë të 40 deputetëve të Kuvendit të Kosovës të ndërmarrë rreth tre vjet më parë

“Më 22 dhjetor 2017, Rexhep Selimi ka pasur takim me Sami Lushtakun dhe ia ka premtuar votën e Lëvizjes Vetëvendosje pro shpërbërjes së Gjykatës Speciale”, ka thënë Molliqaj në RTV Dukagjini.

Ndërkaq, në një lidhje direkte me emisionin Debat Plus, takimin e ka konfirmuar edhe Sami Lushtaku. Kreu i PDK-së në Komunën e Skenderajt ka thënë se ishte takuar me Rexhep Selimin.

“Po, me sa me kujtohet mua, po, është e vërtetë ajo që po e thotë Dardan Molliqaj. Kemi kontaktuar kemi biseduar, jo vetëm unë por edhe një kushëri i Rexhep Selimit”, ka thënë Lushtaku.

Molliqaj po ashtu ka thënë se kjo çështje ishte diskutuar edhe në mbledhjen e asokohshme të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.