fbpx

“Militantët e Hamasit, të vdekur që ecin”, hyjnë kamionët me naftë në Gaza

“Jemi të vendosur të vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, do të shkatërrojmë armikun dhe do të lirojmë të gjithë pengjet”.

Ishte kjo deklarata e kryeministrit Benyamin Netanyahu gjatë një konferencë për shtyp me gazetarët, ku përsëriti edhe njëherë objektivat e Izraelit gjatë ofensivës në Gaza.

Ai u shpreh, se pas ditës së fitores, Izraeli nuk do të lejojë më që Gaza të përfaqësojë një kërcënim për të.

“Forcat e armatosura izraelite do të duhet të ruajnë lirinë e manovrimit brenda vendit. Izraeli operon sipas kodeve ndërkombëtare të luftimit”, tha Netanyahu.

Pyetjes së një gazetari se si do të veprohet me liderët e Hamasit, një pjesë e mirë e të cilëve strehohen jashtë Gazës, kryeministri Netanyahu u shpreh se të gjithë militantët janë “të vdekur që ecin”, duke shtuar se të gjithë ata janë në shënjestër, përfshirë dhe drejtuesin kryesor të grupit që qëndron në Katar.

Lideri i qeverisë mohoi të jetë arritur një marrëveshje për lirimin e pengjeve në këmbim të 5 ditëve armëpushim, duke shuar zërat e shtuar se një akord i tillë është vetëm cështje orësh.

Gjatë mbrëmjes, kanë hyrë në Gaza dhe dy kamionët e parë me 120 mijë litra karburant, që do të përdoren për spitalet dhe shërbimet e tjera jetësore, të cilat kanë arritur tashmë minimumin në të gjithë enklavën.