fbpx

Mesazhi i mercenarëve serbë në ushtrinë ruse në Ukrainë: Destinacioni tjetër është Kosova

Në radhët e ushtrisë ruse gjatë agresionit ndaj Ukrainës ka një numër jo të vogël mercenarësh serbë.

Kundrejt pagesës ata janë bërë pjesë e trupave ushtarake që kanë kryer krime ndaj civilëve në zonat e pushtuara të Ukrainës.

Në rrjetet sociale, një mercenar që identifikohet si serb, ka publikuar një video nga rajoni i aneksuar i Ukrainës, Donbas.

Mercenari serb thotë se pas pushtimit të Ukrainës, konflikti i radhës do të jetë në Kosovë.

“Ne jemi sot këtu, për të hequr qafe okupatorët e NATO-s nga Kosova. Destinacioni tjetër është Kosova!” Kosova është Serbi”, deklaron në video mercenari serb.

Qeveria serbe nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar qytetarët e saj që marrin pjesë në luftë në Ukrainë.

Ndërkohë mediat serbe kanë publikuar të dhëna që tregojnë se qytetarët serbë kanë lehtësira më shumë se kombësitë e tjera për t’u bërë pjesë e ushtrisë ruse.

Nga ana e qeverisë së Kosovës ka pasur denoncime lidhur me praninë e ushtarakëve ruse, kryesisht grupi Vagner në Veri të Kosovës.

Zyrtarë të inteligjencës së Kosovës kanë deklaruar se në incidentet e zhvilluara vitin e fundit në veri të Kosovës ka pasur mercenarë rusë.