fbpx

Mërgimtarët nga Zvicra tentojnë t’i korruptojnë policëve që i gjobitën në rrugën për Ferizaj, fillimisht ua ofrojnë 20 euro e më pas 50

Janë të shpeshta rastet kur qytetarët tentojnë t’i korruptojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës të cilët u shqiptojnë atyre gjoba për kundërvajtje në trafik. Veprime të tilla mund t’u shkaktojnë telashe, njëjtë siç i ndodhi një mërgimtari mbrëmë pas mesnate, raporton Gazeta Sinjali.

E gjithë ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 01:10, kur një veturë me të cilën udhëtonin dy mërgimtarë nga Zvicra është ndalur nga Policia në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku shoferit i është shqiptuar gjobë për kundërvajtje në trafik dhe i është konfiskuar patentë shoferi.

Fillimisht shoferi 30-vjeçar kishte tentuar t’i bind policët që t’ia kthejnë patentën, e më pas bashkëshortja e tij që po e shoqëronte në veturë u kishte ofruar para zyrtarëve policorë.

Sinjali mëson se 28-vjeçarja fillimisht u ka ofruar policëve 20 euro e më pas ua ka ofruar 50. Kjo ka bërë që policët menjëherë t’i arrestojnë personat e dyshuar dhe më pas i shoqëruan në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Dhënie e mitos’.