fbpx

Masakra e Tivarit – regjia për shfarosjen e shqiptarëve

Ndër ngjarjet tragjike të popullit shqiptar që ka të bëjë me Luftën e Dytë Botërore është masakra e Tivarit, e cila ka ndodhur më 1 prill 1945. Në këtë masakër të realizuar nga njësitë ushtarake të Jugosllavisë janë likuiduar një numër i madh shqiptarësh nga Kosova, me përmasat e gjenocidit, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur okupatorët gjermanë në pjesën perëndimore të ish-Jugosllavisë. Mobilizimi i tyre në Kosovë ka pasur një prapavijë të caktuar politike, sepse si qëllim kishte spastrimin e Kosovës nga shqiptarët për të realizuar në praktikë pushtetin ushtarak, i cili ishte vendosur nga data 8 shkurt 1945, duke bërë riokupimin e Kosovës, pa përfillur parimet e Kartës së Atlantikut, me pasoja për shqiptarët që është dëshmuar në vitet vijuese.

Më 1 prill u bënë 79 vjet (1945-2024) nga masakra e Tivarit, ku u likuiduan në mënyrën më mizore shqiptarët nga Kosova. Sipas të dhënave del se ky numër shkon së paku nga 1 mijë e 560 shqiptarë, ndërsa sipas disa përllogaritjeve arrin deri në 3 mijë e 764 persona. Fjala është për shqiptarët  të cilët ishin të mobilizuar si rekrutë në radhët partizane për të ndjekur armikun përfundimisht nga territori i ish-Jugosllavisë. Por, edhe pas shtatëdhjetë e nëntë vjetëve kjo tragjedi ende nuk është ndriçuar nga studiuesit e ndryshëm me vetë faktin se gjatë periudhës së sistemit komunist marrja me një ngjarje të tillë ishte e papreferueshme dhe me pasoja për autorët.

Edhe pse në popull dihej për këtë tragjedi dhe pëshpëritej për numrin e të vrarëve, saktësisht pakkush dinte të dhëna të sakta, sepse arkivat për shqiptarët ishin nën embargo, madje dokumentet gjegjëse ka mundësi që janë zhdukur nga ata të cilët e kanë realizuar këtë masakër.

Dëshmi autentike e atyre që përjetuan masakrën

Por, vetëm pas dështimit të sistemit monist dhe vendosjes së pluralizmit prej vitit 1990, opinioni i gjerë nisi të njihej më në detaje për këtë masakër dhe atë falë dëshmitarëve autentikë, të cilët kishin shpëtuar nga kjo kasaphane tipike naziste e bërë nga pjesëtarët e aradheve partizane jugosllave gjoja “nacionalçlirimtare”. Dhe janë këta individë të cilët e përjetuan personalisht këtë masakër që kanë dhënë kujtimet e tyre për këtë kalavar të shqiptarëve nga mobilizimi i tyre në Kosovë dhe rrugëtimi në relacionin Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar.

Ndër ta bën pjesë edhe Azem Hajdini-Xani, i cili opinionit ia ka dhuruar librin “Tragjedia e Tivarit”, botuar në Shtutgart në Gjermani në vitin 1990, dhe më pas ribotuar në Prishtinë në vitin 1998. Po ashtu ky autor ka botuar edhe një botim tjetër me titull ”Masakra e Tivarit -Memoare”, Prishtinë 1998, duke prezantuar dëshmi autentike të personave të cilët kanë mbetur gjallë. Edhe pse në ndërkohë janë botuar edhe disa studime nga autorë të tjerë për këtë masakër (M. Pirraku. U. Butka etj.), botimi i këtyre materialeve nga autori i cili e ka përjetuar drejtpërdrejt këtë masakër për momentin shërben si lëndë  bazë dhe e domosdoshme për të trajtuar këtë tragjedi të bërë nga komunistët në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse arkivat ende janë të mbyllura për hulumtuesit shqiptarë.

Nisja nga Prizreni për në Tivar

Për të bërë plotësimin e Armatës IV të Jugosllavisë për në Frontin VP të bregdetit të Adriatikut në saje të të dhënave të publikuara del se në mars dhe prill të vitit 1945 u deportuan 22 mijë e 17 luftëtarë shqiptarë nga Kosova. Ata janë deportuar në formacione ushtarake të cilët quhen eshalonë, që gjatë muajve mars-prill 1945 nga Prizreni për në Tivar gjithsej ishin gjashtë eshalonë të tillë. Kështu në mars janë deportuar tre eshalonë; eshaloni i parë, me 3 mijë e 700 luftëtarë, niset nga Prizreni më 24.3.1945 dhe arrin në Tivar më 29.3.1945; eshaloni i dytë më 4 mijë 700 luftëtarë niset nga Prizreni më 26.3.1945 dhe arrin në Tivar më 31.3.1945 dhe eshaloni i tretë me 2.700 luftëtarë shqiptarë niset nga Prizreni më 27.3.1945 dhe arrin në Tivar më 1 prill 1945. Ndërsa gjatë muajit prill janë deportuar edhe tre eshalonë të tjerë: eshaloni i parë me 1 mijë e 506 luftëtarë niset nga Prizreni më 19 prill 1945, eshaloni i dytë me 2 mijë e 601 luftëtarë niset nga Prizreni më 20 prill 1945 dhe eshaloni i tretë me 1 mijë 216 luftëtarë niset nga Prizreni më 24 prill 1945. Ndërsa më pas nga Prizreni niset një eshalon i veçantë me 5 mijë 323 luftëtarë shqiptarë, nga Maqedonia në ditët e para të prillit të vitit 1945.

Pse po largoheshin luftëtarët nga Kosova

Duke marrë parasysh se operacionet luftarake kundër nazistëve gjermanë ne Luftën e Dytë Botërore kishin marrë fund nga fundi i vitit 1944, me të drejtë bëhet pyetja se pse i deportuan luftëtarët shqiptarë nga Kosova. Përgjigjja ishte e qartë, sepse planifikohej një hakmarrje ndaj shqiptarëve të Kosovës për humbjen që kishin përjetuar formacionet ushtarake të partizanëve jugosllavë në luftën ndaj luftëtarëve të Shaban Polluzhës. Ndërsa nga ana tjetër si qëllim ishte largimi nga Kosova i atyre luftëtarëve të cilët mund të bëjnë rezistencë për vendosjen e pushtetit  ushtarak serb, gjegjësisht ripushtimin serb të Kosovës, në saje të vendimeve të mëvonshme.

Të mobilizuarit u ngjanin robërve

Edhe pse të gjithë të tubuarit nga anë të ndryshme të Kosovës kishin premtime se do të deportoheshin me statusin e luftëtarëve për të ndjekur armikun në vijën e frontit në veriperëndim të Adriatikut (Istër-Slloveni), nga momenti i parë në Prizren u vërejt se do të jetë tërësisht ndryshe. Nëse deri aty ata ishin të armatosur dhe të përcjellë me oficerë shqiptarë, më t’u nisur nga Prizreni përcjelljen e morën oficerët serbo-malazezë, ndërsa  po ashtu u detyruan për të dorëzuar armët me pretekst se rruga është e gjatë dhe do të lodhen pa nevojë, pra, ata u nisën nga Prizreni të paarmatosur, të paushqyer, të lodhur, të paveshur, dhe në kushte higjienike të papërshtatshme. Ishte ky eshaloni i dytë që është nisur nga Prizreni më 26 mars, ku pjesëtarët e tij  do të përjetojnë gjenocid të paparë në qytetin e Tivarit të Ri.

Gjatë rrugës atyre u ndalohej dalja nga kolona qoftë për të pirë ujë apo kryer nevoja fiziologjike. Kush kishte guxim të vepronte ndryshe e pësonte me jetë, sepse pushkatohej në vend. Nga një sjellje e tillë e oficerëve përcjellës, të cilët vrisnin kur kishin dëshirë e flisnin fyerjet me vulgare ndaj shqiptarëve tash të gjithë e kishin të qartë se nuk janë më luftëtarë, por u ngjanin robërve të luftës. Dhe nga një situatë e tillë dramatike gjatë rrugës deri në Shkodër numri i të vrarëve kishte arritur deri në 800 luftëtarë të cilët janë gjuajtur në lumin Dri, Bunë e të tjerë.

Pamjet e Tivarit paralajmëronin masakrën

Me të arritur në Tivarin e Ri është vërejtur një mobilizim i madh i popullatës vendore, ku me ta ishin së bashku edhe njësitë ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze, të armatosur në çdo aspekt, a thua se janë duke pritur njësitë  e armikut. U pa qartë komploti dhe gracka e përgatitur, por ata  prisnin vetëm shkakun. Në qendër të Tivarit të Ri pasi i kanë urdhëruar për të pushuar në afërsi të tyre ishte një krua, ku shqiptarët shprehen kërkesën për të pirë ujë, por oficerët reaguan ashpër duke mos iu mundësuar dhe fyer ata në aspektin nacional, duke vrarë tre shqiptarë, ndërsa nga plumbat e tyre kishin vrarë “gjoja” një ushtar malazias. Ky ishte një tjetër pretekst për të vrarë shqiptarë, andaj për këtë “vepër“ e cila nuk ishte bërë nga shqiptarët ata pushkatuan 100 ushtarë shqiptarë, sikurse nazistët gjermanë kohë më parë. Nga kjo e papritur shqiptarët ishin të vetëdijshëm se një tragjedi e tillë  nuk do të përfundojë me kaq, sepse ishin të rrethuar nga të gjitha anët.

Ndërtesa e Monopolit të Duhanit – ferri i shqiptarëve

Ata më pas në kolonë i detyruan të ecin dhe i vendosën në objektin e Monopolit të Duhanit në afërsi të portit. Ishte kjo një ndërtesë trekatëshe, ku i detyruan të hyjnë brenda, ndërsa të tjerët u vendosën në oborr, pra të gjithë grumbull e jo në kolonë, sepse kështu mundësia për t’i shfarosur ishte më e madhe. Dhe nuk ka vonuar shumë, në të gjithë shqiptarët si brenda në ndërtesë e në oborr është shtënë me të gjitha mjetet luftarake rreh dy orë dhe në oborr dhe shesh ku ishin rreth 3 mijë veta nuk mbeti njëri i gjallë në këmbë, sepse u bë kasaphanë e vërtetë dhe kudo u bë lumë gjaku. E tërë kjo masakër ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, duke filluar në ora 14:00 e datës 1 prill 1945. Patën fat të shpëtojnë vetëm ata që ishin në katin e sipërm të ndërtesës, dhe disa nga eshaloni i parë të cilët për momentin ishin në Tivarin e Vjetër. Por, tragjedia ndërpritet duke iu falënderuar një automobili i cili brenda kishte disa vëzhgues amerikanë, të cilët me gjasë kishin dëgjuar të shtënat e armëve dhe kishin ardhur për të parë vendin e ngjarjes. Por, kriminelet iu dolën përpara dhe i bindën të largoheshin  dhe të vazhdonin rrugën për në Ulqin. Pra, nga frika se do të zbulohet krimi, ata u detyruan ta ndërpresin plojën. Ishte kjo një rastësi që të shpëtojnë disa luftëtarë kosovarë, të cilët do të jenë dëshmitarë të kësaj masakre, edhe pse qëllimi i forcave shfarosëse të partizanëve jugosllavë ishte për t’i vrarë të gjithë për të mos pasur dëshmitarë.

Mungesa e varreve të të masakruarve

Më pas u mobilizuan të gjithë qytetarët, si pleq, gra, të rinj, punëtorë e ushtarë për të pastruar oborrin për të humbur gjurmët e kësaj vepre mizore. Me kamion kanë ngarkuar të vrarët dhe të plagosurit për t’i deportuar në varreza të ndryshme kolektive. Madje në këtë transport kanë angazhuar edhe ata shqiptarë të cilët kanë mbetur gjallë. Ende nuk dihet se ku janë bartur dhe varrosur kufomat. Bëhet fjalë për disa vende si në Tivarin e Vjetër, Tugjemil, Zalef dhe në një shpellë në malin e Vollujicës pranë detit. Por, nuk ka dilemë se pjesën më të madhe të tyre e kanë gjuajtur në det.

Shtrohet pyetja sa janë vrarë në këtë masakër e sa kanë mbetur gjallë. Pasi nuk ka të dhëna arkivore, i vetmi burim është A. Hajdini-Xani, i cili thotë se të gjallë kanë mbetur 810 individë, ndërsa nga Kosova janë nisur 4 mijë e 700 luftëtarë, nga del se gjatë rrugës dhe në ketë masakër janë vrarë e zhdukur 3 mijë 890 shqiptarë të eshalonit të dytë dhe 420 të eshalonit të parë, pra gjithsej 4 mijë e 310 individë kanë humbur jetën, çështje që mbesin për hulumtime.

Në këtë regji shfarosëse ka pasur raste që individë të ndryshëm të shpëtojnë dhe të ikin në drejtime të ndryshme, por edhe aty nëse janë zbuluar janë likuiduar, sepse të gjithë shqiptarët janë cilësuar si armiq nga pushteti ushtarak. Ka raste të veçanta që kosovarët janë strehuar e mbajtur nga familje shqiptare duke ua shpëtuar jetën, si në Tivar, Anë të Malit dhe Krajë, ku për raste të tilla ekzistojnë dëshmi autentike.

Tragjedia e cila u hesht për vite të tëra

Me të përfunduar lufta dhe kthimi i luftëtarëve kosovarë në shtëpitë e tyre, kjo ngjarje mori dhenë, por ishte me pasoja nëse kërkohej e vërteta pse ndodhi ajo. Madje ata të cilët e përjetuan ishin të kërcënuar nëse  debatojnë në lidhje me këtë ngjarje e jo më të kërkojnë që ajo të ndriçohet në tërësi.

Dhe si për ironi të fatit pas kësaj masakre ajo u hesht nga ata të cilët është dashur të flasin dhe ta informojnë opinionin e gjerë për këtë gjenocid të bërë nga partizanët jugosllavë, duke kërkuar përgjegjësi nga ana  e tyre.

Por, ndodhi që për këtë masakër të mos flasin kuadrot shqiptare qoftë nga Kosova apo nga Shqipëria, por për të parën herë të deklarohet A. Rankoviqi në Kongresin Themelues të PKS më 8-12 maj 1945, i cili në mes tjerash ka thënë se ”udhëheqësit e eshalonit e nxitën revoltën midis shqiptarëve”, duke planifikuar të vrisnin “40 shqiptarë për një luftëtar të vrarë”, duke vazhduar se “udhëheqësit tanë  hapën zjarr dhe i vranë 300 shqiptarë”. Një e dhënë e tillë edhe pse e minimizuar shumë herë dëshmon se një masakër e tillë ka ekzistuar dhe është realizuar nga forcat partizane jugosllave, që ishin të Brigadës së Dhjetë Malaziase, duke mbetur informata e vetme zyrtare për këtë masakër.

Por edhe pse një nismë e tillë në rrugë institucionale për të prezantuar dhe hulumtuar  të vërtetën është bërë nga Azem Hajdini si pjesëmarrës i kësaj masakre, prej vitit 1966 e më pas çdo gjë mbeti vetëm në nismë, sepse pushtetit jugosllav të kohës nuk i ka interesuar e vërteta për këtë tragjedi, sepse ishin vetë serbo-malazezët të cilët  ishin skenaristët dhe regjisorët e kësaj masakre, e cila ishte më e madhja në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Evropën Juglindore.

Objekti i Monopolit të Duhanit në Tivar, vendi i masakrës së 1 prillit 1945

Përgjegjësia e udhëheqjes së Shqipërisë

Edhe pse kanë kaluar 79 vjet nga masakra e Tivarit, deri më tash nuk kemi pasur rast të lexojmë diçka konkrete në lidhje me këtë tragjedi nga strukturat qeveritare të Shqipërisë. Madje kjo tragjedi nga ana e tyre është heshtur, duke mos u shënuar as në kalendarin e ngjarjeve historike, sepse ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë. Sepse si të lejohet që të kalojnë nëpër territorin e Shqipërisë eshalonë të tërë qytetarësh kosovarë të përcjellë nga ushtarakët serbo-malazezë gjoja për të marrë pjesë në ndjekjen përfundimtare të armikut në Istër e Slloveni, kur Lufta e Dytë Botërore kishte marrë fund.

Nuk ka dilemë se ishte ky një veprim monstruoz dhe antikombëtar i udhëheqjes së Shqipërisë së kohës e cila ka përgjegjësi për Masakrën e Tivarit. Por, nëse analizojmë rrethanat e kohës që më vonë është njoftuar opinioni i gjerë, as që është pritur diçka konkrete nga udhëheqja e Shqipërisë, ose më konkretisht nga ajo e PKSH-së, sepse këta ishin si filial i komunistëve jugosllavë, dhe ishin të indoktrinuar nga ideologjia komuniste  si rrallëkush në Evropën Juglindore. Sepse nga ajo kohë e deri në vitin 1948 me jugosllavët kanë punuar së bashku për të eliminuar armiqtë ideologjikë, ku ekzistojnë dëshmi  të pakontestueshme, sepse  individë të ndryshëm shqiptarë janë arrestuar në Shqipëri dhe u janë dorëzuar jugosllavëve, të cilët kanë përfunduar me pasoja tragjike.

Tivari i vitit 1945 si Srebrenica më 1995

Nuk ka dilemë se masakra e Tivarit e vitit 1945 është pothuaj identike me masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 e bërë nga forcat ushtarake serbe ndaj rreth 8 mijë boshnjakëve. Por, këtu ekziston vetëm një dallim, sepse krimi në Tivar është bërë pa praninë e forcave ndërkombëtare, ndërsa në Srebrenicë është bërë në prani të tyre, të cilët ishin gjoja me mision për të mbrojtur këtë popullatë. Një rast i tillë analog ka edhe të veçantën tjetër, sepse viktimat e Tivarit  edhe sot janë pa varre të identifikuara, ndërsa ata të Srebrenicës janë identifikuar, sepse janë gjetur në varrezat kolektive, me ç’rast është bërë rivarrimi i tyre.

Pllaka përkujtimore e cila mungon

Ka ardhur koha që në lidhje me masakrën e Tivarit të formohet një komision i veçantë pranë Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Qeverisë së Malit të Zi. Nuk ka dilemë se ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi në drejtim të ndriçimit të kësaj masakre do të ishte në favor të pushtetit aktual në rrethana të reja shoqërore e politike.

Edhe pse kanë kaluar 79 vjet  nga kjo masakër ende  nuk ka të dhëna në lidhje me varret e të masakruarve, andaj  është obligim moral dhe civilizues që në vendin ku është bërë masakra të ngrihet një memorial apo të vendoset një pllakë përkujtimore në tri gjuhë për të njoftuar opinionin e gjerë mbi këtë ngjarje tragjike në vitin 1945 që ka ndodhur në qytetin e Tivarit.

Përfundim

Ndonëse kanë kaluar 79 vjet nga data e 1 prillit 1945, kur u masakruan shqiptarët nga Kosova, nga ana e strukturave ushtarake jugosllave të kohës, realizuar sipas një skenari me qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve nga Kosova, ajo masakër ia kalon “Natës së Shën Bartolomeut” të Parisit të vitit 1573, që është sinonim për vrasjet masive të kundërshtarëve ideologjikë.

Për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të flitet, as të shkruhet se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve duke mos i publikuar ato, por  e vërteta nuk ka mundur të heshtet.

Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit, por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive. Është fatkeqësi që për këtë masakër nuk ka asnjë shënim në librat e shkollave fillore, të mesme e universitare, sidomos nga lënda e historisë, dukuri e cila nuk mund të arsyetohet me asgjë.

Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31 mars të vitit 2013, kishte organizuar Konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve  nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje (të cilat ende nuk janë botuar)  pjesëmarrësit më pas kanë shkuar dhe vizituar vendin e krimit, Monopolin e Duhanit (31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve ku kanë marrë pjesë edhe ish-të mbijetuarit e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie.

Pasi në lidhje me këtë masakër nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjes,  duhet bërë çmos që në këtë vend të ngrihet memoriali si monument i kujtesës, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen për të njoftuar opinionin e gjerë për këtë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja, kur tash Kosova është shtet i pavarur, i takon qeverisë së saj të iniciojë një çështje të tillë me pushtetin në Mal të Zi.

Andaj ka ardhur koha që historia të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike, e pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional  të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-së jugosllave për të hequr  hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore si kudo në botën demokratike.

Një version i këtij teksti ishte botuar në Shtojcën për Kulturë të “Kohës Ditore” më 4 prill, 2020. Botohet me rastin e 79-vjetorit të masakrës së Tivarit