Ligji për martesat e gjinisë së njëjtë i heshtë partitë dhe deputetët që kanë mendim për çdo gjë

Raportet e para disa vjetëve tregonin se Kosova është vendi më homofobik i rajonit, e partitë politike duket se dinë këtë. Lëvizja Vetëvendosje e PDK nuk janë përgjigjur – deri tash – nëse e përkrahin rregullimin me ligj të martesave të së njëjtës gjini, ndërsa nga LDK’ja thonë se “do ta shqyrtojnë”. As zyra e Vjosa Osmanit nuk është përgjigjur nëse kryeparlamentarja personalisht është pro nismave qê lejojnë martesat e komunitetit LGBTI. Ministri i Drejtësisë tregon se kodi i ri civil i hapë rrugë martesave të së njëjtës gjini, e ambasada amerikane e ka lëvduar atë për nismën rreth kësaj..

Martesat e të njëjtit seks – tema që sjell reagime, theksueshëm në Kosovë e në rajon, është rikthyer me hartimin e draftit të Kodit të ri Civil. Sipas ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, kodi i ri synon të sjell barazi për të gjithë qytetarëve në të gjitha çështjet, edhe në martesa. Ai thotë se, ndër të tjera, kodi i ri civil i hapë rrugë martesave të së njëjtës gjini dhe një ligji të vecantë që i rregullon ato.

Ministri ka treguar për Gazetën Express se drafti është kompletuar dhe tani kodi i ri civil do të jetë në dorë të Parlamentit, deri në hyrjen në fuqi të tij.

“Do të shkojë në katër komisione në Kuvend, pastaj del në votim. Nga ana e Qeverisë është kryer gjithçka”, ka thënë ministri i Drejtësisë në një prononcim për Gazetën Express.

Drafti nuk është votuar akoma as në Qeveri, ndërsa komente ka ngjallur pjesa ku ministri tregoi se Kodi i ri u hap rrugë martesave të gjinisë së njëjtë, për herë të parë me ligj, ndonëse sipas Kushtetutës martesa është e lejueshme për çdokënd, por kjo e drejtë kushtetuese nuk është përcjellë edhe me harmonizim të ligjeve. Në fakt, Ligji mbi Familjen dhe Martesat e parasheh vetëm martesën e gjinive të kundërta.

“Kodi i ri Civil i hap rrugë martesave të së njëjtës gjini, por asgjë nuk është përfundimtare. Ne po punojmë në atë rrugë”, ka thënë Selimi.

Ai në një postim në Tëitter ka thënë se po sheh mundësinë që çështja e martesave të rregullohet edhe me ligj të veçante.

Këtë e ka përshëndetur ambasada amerikane, ndërsa partitë nuk e kanë komentuar cështjen e lejimit të martesave – disa prej tyre as pasi janë pyetur nga Gazeta Express.

Deputeti i LDK’së, Shkëmb Manaj, i cili e drejton Komisionin për Legjislacioni, thotë se partia e tij nuk ka diskutuar nëse e përkrah ose jo çështjen e martesave të së njëjtës gjini. Si kryetar i Komisionit, Manaj thotë se shqyrtohet çdo nismë ligjore, që ka bazë kushtetuese.

“Si Grup Parlamentar ende nuk e kemi diskutuar këtë çështje, ndërsa në cilësi të kryetarit të Komisionit për Legjislacion ju garantoj që çdo nismë ligjore që ka mbështetje në Kushtetutë do te shqyrtohet dhe aprovohet nga Komisioni sepse është në fushëveprimin tonë që të vlerësojmë që secili projektligj që shqyrtohet në seancë të Kuvendit të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, do ta shqyrtojmë dhe vlerësojmë Kodin Civil si dhe të gjitha projektligjet tjera”, ka thënë Manaj për Express.

Lëvizja Vetëvendosje akoma nuk ka përgatitur një përgjigje rreth pyetjes për lejimin e martesave të së njëjtës gjini. Nga PDK’ja nuk është përgjigjur as Zyra për Media e saj e as deputeti Abelard Tahiri, i cili është pjesë e komisionit për Legjislacion, ndërsa ka qenë edhe Ministër i Drejtësisë në qeverinë Haradinaj.

As kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk është përgjigjur në pyetjen se personalisht ajo a i përkrah nismat e lejimit të martesave të së njëjtës gjini, ndërsa zyra e saj i ka thënë Expressit se kryetarja ka qenë e zënë.

Ndërkaq Donika Kadaj, anëtare e Komisionit për Legjislacion thotë se cështja e martesave të së njëjtës gjini ka qenë e rregulluar me Kushtetutë, e tash ligji po e plotëson zbrazësinë.

Një pjesë e ka përshëndetur deklarimin e ministrit, përfshirë edhe emisarin special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, i cili herë pas herët komenton çështje të ndryshme të Kosovës si dhe është avokues i të drejtave të komunitetit gay.

Ministri Selimi thotë se po ndjekin praktikat e shteteve si Mali i Zi, Sllovenia e Hungaria.

Mali i Zi javën e kaluar u bë shteti i parë jashtë Bashkimit Evropian që legalizoi partneritetin e gjinisë së njëjtë. Ligji i ri që kaloi të martën, u jep çifteve të së njëjtës gjini të njëjtat të drejta si çifteve heteroseksuale, përveç adoptimit të fëmijëve.

Ligji nuk kishte kaluar në gusht të vitit 2019, pasi pati rezistencë të madhe të Kishës Ortodokse serbe dhe grupeve të tjera fetare në vend.

E, një asamblist i VV’së në Mitrovicë ka reaguar prej të parëve, pas asaj që tha ministri i Drejtësisë. Fidan Ademi kërkon nga bashkësitë fetare dhe konservatorët të reagojnë ndaj lejimit të martesave të qytetarëve që i takojnë seksit të njëjtë.

Partitë as nuk janë deklaruar pro e as kundër kësaj nisme, ndërsa ambasada amerikane ka thënë se e mirëpret nisjen e diskutimeve për ligjin që e rregullon çështjen e martesave, njëjtë si në rajon.

“Ne po ashtu i përshëndesim planet e ministrit të Drejtësisë për të hapur diskutimet mbi ligjin për bashkim të të njëjtës gjini, i ngjashëm me të shteteve të tjera të rajoni”.

Ndryshe, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës për të Drejtën e Martesës dhe Familjes thuhet se ‘’Në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin. 2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve. 3. Familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj’’.