fbpx

LDK kandidon për kryetare të Deçanit një grua

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur Hyrie Dobrunajn për kandidate për kryetare të Komunës së Deçanit në zgjedhjet e vjeshtës.

Siç ka njoftuar Armend Zemaj nga kjo degë, Dobrunaj është e para grua kandidate për kryetare të kësaj komune.

“Të gjithë u bëmë NJË, për NJË qëllim të mirë, për NJË zhvillim të qytetit tonë të bukur, të bukurisë shqiptare që ndryshe quhet Deçan, duke zgjedhur NJË grua kandidate për kryetare të komunës. Aty ku gruaja është e para, aty është edhe e mbara. Kështu do të jetë edhe për Deçanin tonë të bukur. Kandidatja jonë është nënkryetare e degës, ish-asambliste dhe profesioniste e suksesshme, bashkëshorte e devotshme dhe nënë e përkushtuar. Ne do të qëndrojmë të bashkuar, në mbështetje të kandidates tonë, ngaqë vetëm kështu e projektojmë dhe realizojmë të ardhmen e sigurt e të mbarë të komunës sonë”, ka thënë ai në njoftim.

Deri tash, LDK-ja ka zyrtarizuar vetëm burra si kandidatë për kryetarë komunash në zgjedhjet e 17 tetorit.

Sipas njoftimit të kësaj partie në fillim të qershorit, në Prishtinë do të kandidojë Përparim Rama, në Podujevë Ekrem Hyseni, në Pejë Gazmend Muhaxheri, në Suharekë Ardian Shala, në Lipjan Imri Ahmeti, në Fushë-Kosovës Burim Berisha, në Viti Sokol Haliti, në Vushtrri Xhafer Tahiri.