fbpx

Lahutari nga Rugova| Jeton në Zvicër, por nuk harron traditën

Prej 19 vitesh lahutari nga Rugova, Ibrahim Xhaferi, interpreton në instrumentin e lahutës duke trashëguar në breza këtë traditë.

Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës lahutari ishte pjesë e grupit folklorik të shqiptarëve të Zvicrës ndërsa regjistron pjesëmarrjen e dytë në këtë festival pas edicionit të vitit 2015. Ai shprehet se që në fëmijëri e ka pasur pasion dhe dëshirë të mësojë instrumentin e lahutës duke vazhduar kështu traditën e familjes.

“Lahuta është kultivuar me të madhe tek ne. I kanë rënë shumë, i kanë kënduar shumë kreshnikëve, luftërave të vjetra por ka edhe një simbolikë të madhe se është një ndër instrumentat shumë të vjetër shumë të lashtë,” – tregoi Xhaferi.

“Unë pasion e kam pasur shumë edhe shumë i vogël por trashëgimi e kemi edhe prej stërgjyshërve, më tepër nga dajat kurse nga babai, kane qenë këngëtarë të atyre kohërave me çifteli, e kështu që e kam pasur një pasion shumë të hatashëm. Gjithmonë thosha : Një ditë kur do të mësohem ti bie kësaj lahute , apo çiftelisë, sharkisë edhe fyellit,” – shtoi ai.

Pasi u zhvendos në Zvicër në fillim të vitit 90-të ai vazhdoi të interpretojë dhe kultivojë traditën e instrumentit të lahutës duke dhënë edhe koncerte të ndryshme me ansamblin popullor të shqiptarëve të diasporës.

“Unë prej vitit 1994 jetoj në Zvicër. Me rapsodët aty prej 12 vitesh jemi si grup i përbashkët, kemi marrë pjesë në shumë koncerte nëpër Zvicër, Gjermani. Në 2015 kam qenë këtu në Festivalin e Gjirokastrës,” – tregoi Xhaferi.

“Edhe këtu ndërsa dola qendrës së Gjirokastrës, të huajt ishin shumë të pasionuar. Kishin dëshirë për t’ia shpjeguar se çfarë është ky instrument me një tel dhe një hark, origjina, shumë të interesuar janë edhe shqiptarët,” – shpjegoi ai.

Për lahutarin nga Rugova tradita e lashtë e këtij instrumenti nuk duhet harruar dhe lënë pas dore, por duhet përcjellë tek brezat e rinj si pjesë e vyer e vlerave tona kombëtare.