fbpx

Kurti – për herë të parë – tregon detaje nga propozimi franko-gjerman

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, i cili dinamizoi së fundmi procesin e bisedimeve parasheh gjithashtu edhe diskutime rreth të drejtave të pakicave, për çka shefi i ekzekutivit mendon se Beogradi në këtë pikë mund të shprehë kërkesën e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe.

Sipas Kurtit propozimi të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator është një bazë e mirë për vijimin e diskutimeve për marrëveshjen përfundimtare, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

“Kosova ka një kushtetutë shumë demokratike dhe progressive. Kapitulli i tretë, nga Nenet 57-62, parashikojnë një gamë të gjerë të drejtash për pakicat në Kosovë. Unë nuk e kundërshtoj Asociacionin e komunave. Aktualisht, Kosova ka një asociacion komunash, 38 në total. Por, unë nuk mund ta pranoj asociacionin mbi bazat e identitetit etnik. Politika mbi bazat etnike nuk është e mundshme. Pra s’mund të krijohet një asociacion mbi baza etnike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën tonë. Ky fakt është gjithashtu i konfirmuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese tonës në dhjetor 2016”, ka thënë Kurti në një intervistë për DW.

Kurti më tej ka bërë të ditur se ai është i gatshëm të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Unë jam gati për takim, por kjo varet nga ndërmjetësit tanë, pra varet nga Bashkimi Europian nëse ky takim do të zhvillohet ose jo. Por në përgjithësi, që nga 18 gushti, ne jemi takuar për dy çështje. E para, një kornizë e përgjithshme për marrëveshjen dhe së dyti, për çështjet aktuale”.

Për Kurtin situata e krijuar në Veri pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës lidhet ekskluzivisht me faktin se Beogradi ka refuzuar propozimin franko-gjerman.

“Ata e kanë diskutuar këtë propozim në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe ai është refuzuar në mënyrë unanime. njoftimi u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në të shkuarën ka qenë zëdhënës i Millosheviçit. Ai tha se e kishin refuzuar propozimin franko-gjerman dhe më pas sajuan këtë dorëheqje kolektive nga institucionet tona, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë”, ka shtuar ai.

Shefi i ekzekutivit më tej ka treguar se cili është plani për zgjidhjen e situatës në Veri pas vakumit institucional i krijuar së fundmi.

“Kemi më shumë policë në veri dhe do të rekrutojmë policë të rinj, në mënyrë që t’i kemi të pranishëm në këto zona. Dhe aty ku kryetarët e komunave kanë dhënë dorëheqjen, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ne, përveçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj”.

Largimi i serbëve, sipas Kurti është nxitur nga Beogradi e assesi nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat.

“Ekziston kjo pakicë e vogël që punon në emër të Beogradit, duke u bërë presion serbëve të Kosovës, sepse disa makina të serbëve të Kosovës janë djegur nga kjo pakicë. Beogradi ka këtë qëndrim të dëmshëm. Pushtimi rus në Ukrainë dhe agresioni ushtarak atje, si dhe përkrahja e Beogradit për Kremlinin, janë kërcënim për vendin tonë. Ne jemi shumë të shqetësuar, por nuk kemi frikë”.