fbpx

Kur Molliqaj parashikonte rënien e Kurtit: Pa ne nuk i fiton as 32 deputetë e as Prishtinën

Sipas rezultateve të deritashme të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin kanë dalë fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit me një diferencë shumë të vogël ndaj LDK’së e cila renditet në vendin e dytë.

Me rreth 200 mijë vota që ka marrë dhe sipas përllogaritjeve, Vetëvendosje në legjislaturën e re do t’i ketë 31 deputetë, ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i ketë 30’të.

Dy komunat të cilat kanë bërë diferencën në këto zgjedhje, janë Gjilani dhe Prishtina, në të cilat Vetëvendosje ka fituar.

Megjithatë rreth një viti më parë, anëtari i PSD’së Dardan Molliqaj në emisionin Pressing të datës 17 dhjetor të vitit 2018, kishte parashikuar një rënie të partisë së Albin Kurtit.

Sipas tij, pa PSD’në,  Vetëvendosje nuk do të mund t’i fitonte as 32 deputetë e as qytetin e Prishtinës.

Rezultat e KQZ’së për gjithë Kosovën
“Vetëvendosja pa qeta (PSD’në), nuk e fiton as Prishtinën e as 32 deputetë. Unë po them që po.. forca e Vetëvendosjes u kanë kaq,  por edhe forca e këtyre njerëzve (PSD’së) u kane kaq. Ata që po  mendojnë me e mohu. Flasim me rezultate. Unë po them që PSD’ja ka me e pas rezultatin ma të mirë zgjedhor se sa e ka pushtetin tash, e Vetëvendosja po të siguroj që ka me pas ma pak se sa ka fitu në 2017-ën. Është opinion kogja i besueshëm tu e njoftë opinionin publik”, kishte thënë Molliqaj.

Ai në këtë emision mohonte se sondazhet e nxjerrin Kurtin të parin, ndërkohë thoshte se në zgjedhje do të shihet gjithçka.

“Gjatë kohës mundemi me u shty, por në zgjedhje e shohim”, kishte thënë Molliqaj.

Molliqaj madje thoshte  se në rast se do të ishte Vetëvendosje në pozitë të mirë do t’i publikonte sondazhet, dhe në debat e sipër pyeste se pse nuk po i publikojnë dhe pse po i mbajnë fshehtë ato.