fbpx

“Kot flasim, derisa ata e vrasin”, marshohet në Pejë pas vrasjes së një gruaje

“Kot flasim, derisa ata e vrasin”, kjo është njëra ndër pankartat me të cilën ka nisur protesta në Pejë në shenjë revolte ndaj vrasjes së një gruaje të martën, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.

Ky marsh ka nisur nga objekti i Policisë drejtë Gjykatës Themelore e deri tek Prokuroria Themelore në Pejë.

“Mosndëshkimi i këtyre rasteve është inkurajim i mëtejshëm!”, është thënë nga organizatori, ndërsa është raportuar se marshit i janë bashkuar edhe figura politike e institucione lokale.

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj, teksa i njëjti ka pranuar fajësinë në Gjykatë.

Kjo është vrasja e dytë e një gruaje brenda katër ditësh, ku të dyshuarit janë ish-bashkëshortet e tyre.

Pas rastit të dytë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ftoi në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Lajmin për vrasjen e kishte konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, të martën.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante”.

Edhe më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Po ashtu, edhe për këtë rast është arrestuar ish-bashkëshorti i saj.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këto dy raste, institucionet në Kosovë të mërkurën e 17 prillit e kanë shpallur ditë zie.