fbpx

I quajti sllovenët “të neveritshëm” – Vuçiqi i kërkon falje popullit, por jo edhe politikanëve

“Nëse lëndova dikë në Slloveni, kërkoj falje, por nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga Nju Jorku.

“Unë thashë se sllovenët ishin të neveritshëm, duke iu referuar seancës së Këshillit të Sigurimit. Kjo ishte tema dhe të gjithë e kishin të qartë se kishte të bënte me individin dhe me politikën e tyre. Sigurisht që nuk është fjalori që duhet përdorur, por në mënyrë njerëzore thashë atë që mendoj për politikën e tyre”, tha Vuçiqi në një fjalim para gazetarëve, raporton N1.

Ai shtoi se mendon më të mirën për sllovenët si popull dhe se ka shumë miq dhe të afërm në Slloveni.

“Nëse kam ofenduar dikë, dua t’i kërkoj falje gjithë publikut të Sllovenisë dhe në të njëjtën kohë të them se nuk do t’u kërkoj falje politikanëve sllovenë, sepse ata udhëheqin një politikë të neveritshme ndaj Serbisë dhe popullit serb”, tha Vuçiqi më tej.

Presidenti serb ka shtuar se deklarata e tij është nxjerrë jashtë kontekstit dhe është vlerësuar si diçka “e tmerrshme”, por se cenimi i integritetit territorial të Serbisë nuk është vlerësuar si “e tmerrshme”.

“Nuk është e tmerrshme që ata po sponsorizojnë rezolutën për Srebrenicën kundër popullit tonë, pa u konsultuar me ne, pa na informuar apo pyetur paraprakisht. Gjithashtu shfrytëzoj rastin të ftoj (Kryeministrin e Sllovenisë) Robert Golob dhe Presidenten (sllovene Natasha) Pirc Musar në Beograd dhe Serbi. Sigurisht që është e nevojshme të kërkoj falje edhe një herë, të theksoj se sigurisht që nuk mendoja për sllovenët, por t’u them atyre në sy se çfarë mendoj për politikën e tyre të keqe ndaj Serbisë dhe popullit serb”, përfundoi Vuçiqi.