fbpx

Eksperti i gjuhës së trupit analizon takimin Biden-Putin

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën kanë përfunduar samitin në Gjenevë me një marrëveshje që kthen ambasadorët e shteteve në Washington e Moskë dhe planin për të nisur zëvendësimin e traktatit të mbetur mes dy shteteve për të limituar armët nukleare.

Por dy liderët, në takim ofruan pikëpamje të ndryshme për disa çështje, përfshirë atë se sulmet kibernetike kanë origjinë nga Rusia.

Gjuha e tyre e trupit, në ato momente që u panë para mediave, s’ishte aspak e ngrohtë.

Dy liderët shtrënguan duart – Bideni zgjati i pari dorën dhe buzëqeshi para liderit stoik rus – pasi presidenti zviceran Guy Parmelin i mirëpriti në Gjenevë për samitin.

Për takimin para kamerave, pak para hyrjes në takim, eksperti i gjuhës së trupit, Mark Bowden, për Associated Press, ka treguar se shtrëngimi i duarve ka treguar barazi.

“Fillimisht, të heqim qafe idenë që Putini shmang kontaktin me sy. Siç e kuptoj unë, ai po kthehet kah kamerat që të shkrepet fotografia ku ai po shikon drejt publikut. Bideni këtë s’e bën. Bideni është tejet më i koncentruar te Putini. Dora e tij del e para, është optimist dhe i etur për shtrëngim duarsh. Vjen Putini, në të njëjtën shpejtësi. Pasi që tashmë dihet se ka qenë e negociuar që Putini të dalë në anën e majtë, kjo nënkupton se kur të zgjasë ai dorën, dora e tij do të duket dominuese. Bota do ta shohë më shumë dorën e tij. Ai do të duket më i madh e më i fuqishëm për shkak të krahut. Shtrëngimi i duarve duket i barabartë. Askush nuk ka vënë re dallim. I largojnë po ashtu të dy duart në të njëjtën kohë”, ka shpjeguar Bowden.

Takimi vazhdoi në hapësirat e brendshme. Pak pamje u ofruan për mediat. Për hapësirën aty, Bowden ka parë shfaqjen e një autoriteti botëror të dy liderëve.

“Fillimisht duhet të kuptojmë se sa mahnitës është pozicionimi. Jemi në një bibliotekë. Është një botë dijesh, ka autoritet, kemi dy flamujt e shteteve me liderët në dy anë dhe një glob në mes. Kemi pamjen e dy shteteve me autoritet që shohin botën. S’janë thjesht dy burra që po bëjnë muhabet. Janë dy shtete që vendosin se çfarë mund të ndodhë në gjithë botën”, ka thënë ai duke shtuar se ka vënë re edhe “kënaqësi” te të dy liderët.

Image
Për një pamje ku shihet Bideni duke folur në takim, Bowden ka thënë se ritmi i lëvizjeve të duarve krah fjalimit e shfaq Bidenin “tejet amerikan”.

“Është pikërisht ajo që prisnim. Ka marrë hapësirën e nevojshme për të komunikuar në një mënyrë demonstrative. Putini në anën tjetër duket më i ftohtë, më stoik. Por kjo është pak a shumë edhe se si kemi pritur ne në idetë tona, për ta dhe dy shtetet”, ka përfunduar ai.

Për disa muaj, Bideni e Putini kanë pasur retorikë të ashpër ndaj njëri-tjetrit. Bideni e ka akuzuar Putinin për sulme kibernetike ndaj interesave amerikanë, për burgosjen e liderit opozitar rus dhe ndërhyrje në zgjedhjet në Amerikë.