fbpx

Ekipi i Dua Lipës zgjedh përfaqësuesin për Eurovision

Ekipi që qëndron prapa Dua Lipës dhe Lana Del Reyt do ta zgjedhë përfaqësuesin e Mbretërisë së Bashkuar për Eurovision 2022. “TaP Management”, që gjithashtu kujdeset për Ellie Gouldingun dhe Hailee Steinfeldin, do ta marrë përsipër përzgjedhjen pasi Britania e Madhe ishte e fundit në konkursin e këtij viti.

James Newman nuk ka arritur të marrë as një pikë të vetme me këngën “Embers”, duke e vazhduar një seri të turpshme dështimesh në garë.

Asnjë pjesëmarrës në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka hyrë në listën e 10-të më të mirëve që nga Jade Ewen më 2009.

Përfshirja e “TaP Management” do të thotë që “BMG” nuk do të përfshihet më në përzgjedhjen e konkurrentit për Mbretërinë e Bashkuar.

“TaP Management” ishte formuar më 2009, pasi Ben Mawson, atëherë avokat praktikant, e kishte takuar Lana Del Reyn dhe i kishte ndihmuar që të shpëtonte nga marrëveshjet e pafavorshme që kishte nënshkruar në fillim të karrierës së saj.

Kur e kishte vërejtur potencialin e saj, ai i bashkoi forcat me Ed Millettin, menaxher me përvojë muzikore dhe së bashku e ndihmuan muzikanten nga New York që të bëhet një nga zërat më të njohur të brezit të saj. Qysh prej atëherë kompania e tyre është zgjeruar në Londër, Berlin, Sidnej dhe Los Angeles.

“Talent i klasit botëror”

Pas publikimit të lajmit, Ben Mawson ka thënë: “Jemi shumë të emocionuar që do të bashkëpunojmë me BBC-në për këtë ngjarje dhe do ta përdorim Eurovisionin për të reflektuar dhe festuar në mënyrë autentike talentin e pasur, të larmishëm dhe të klasit botëror për të cilin Britania e Madhe është e njohur globalisht”.

Në një intervistë në BBC Radio 1, Mawson ka thënë se procesi i zgjedhjes së artistit dhe këngës nuk ishte “i thjeshtë”. Duke folur për “The Sun”, Dua Lipa ka thënë: “Jam krenare që jam britanike, por jam edhe krenare që jam kosovare. Jam e lumtur që menaxheri im do të merret më këtë punë. Do të festoj për ta!”

Përkundër mungesës së suksesit gjatë viteve të fundit, oreksi për Eurovision është ende i fortë për shikuesit në Britani.

Fitues i Konkursit të Këngës Eurovision në këtë vit ishte grupi italian i rokut “Måneskin”, kënga e të cilit “Zitti E Buoni” u bë një ndër 20 këngët më të dëgjuara në Mbretërinë e Bashkuar.

Fitorja e tyre u shikua nga 7.8 milionë njerëz në BBC One, duke e bërë atë finalen më të shikuar që nga viti 2014.