fbpx

E vrau me thikë 61-vjeçarin, dënohet me 8 vite burgim 19-vjeçari nga Peja

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tetë vite dënim 19-vjeçarin A.B. për vrasjen e 61-vjeçarit S.B.

Rasti kishte ndodhur më 5 shtator të vitit 2020, ku i dyshuari e kishte vrarë me thikë viktimën S.B.

“Me datë 5 shtator 2020, rreth orës 16:55, në Pejë, me dashje dhe me mjet të mprehtë – thikë, e ka privuar nga jeta viktimën S.B, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë duke kaluar afër shtëpisë së viktimës dhe me të kaluar shtëpinë e viktimës, e dëgjon një zë dhe kur kthehet, e sheh viktimën duke e thirr dhe duke ia bërë me dorë, i pandehuri duke menduar se viktima ka nevojë për ndihmë, hyn në oborrin e shtëpisë së viktimës, e nga aty më pas hyn në shtëpinë e viktimës, shkojnë në dhomën e ditës, i pandehuri ulet në një krevat përballë kuzhinës, e të cilin me lëng e shërben viktima, e më pas viktima shkon në korridor, e mbyll derën e korridorit me çelës, kthehet prapë në sallon dhe i drejtohet të pandehurit “se pa bo çka të them unë ti nuk del prej këtu”, e më pas viktima shkon dhe ulet në fotele përballë televizorit dhe lëshon televizorin me program pornografik, duke i parë këto veprime dhe duke e ndier vetën të pasigurt, ngritët nga krevati, afrohet afër lavamanit kinse për të pirë ujë, nga ku merr thikën, e të cilën duke e mbajtur fshehtë i afrohet viktimës dhe i shkakton lëndime vdekjeprurëse të konstatuara në raportin e autopsisë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se në dënimin prej 8 vitesh do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Të pandehurit A.B gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej tetë (8) vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim e të cilin dënim do ta mbajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në njoftim.