fbpx

Drejtori i N1: Duket se Vuçiç’i s’e ka mbështetjen e Daçiç’it për sanksionet kundër Rusisë

Sipas drejtorit të televizionit “N1” në Serbi, Igor Bozhiç, është e mundur që çështja e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë të jetë arsyeja e mosmarrëveshjes mes Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) – koalicioni i cili po udhëheq shtetin serb.

“Duket se Vuçiç nuk ka marrë mbështetjen e SPS-së për disa hapa që po planifikon të ndërmarrë dhe më duket se janë në pyetje sanksionet ndaj Rusisë”, ka thënë Bozhiç raporton e përditshmja serbe Danas.

Në korridoret e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë ditëve të fundit fjala zgjedhje po bënë jehonë.

I pari i cili foli për mundësin e një zgjedhjeje të parakohshme ishte presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në takim me bashkëpartiakët e tij tha se është i “gatshëm të shkojë në zgjedhje si kandidat për kryeministër”.

Në thumb të kritikave të Vuçiç-it ishte Partia Socialiste e Serbisë – partneri më i madh i koalicionit – e udhëhequr nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç.

Vuçiç është shprehur i zhgënjyer me sjelljen e partisë së Daçiç në lidhje me çështjen e Kosovës.

E një gjë e tillë sipas Bozhiç tregon qartësisht një mosmarrëveshje në koalicionin qeverisëse.

Megjithatë ai mendon se arsyeja e mosmarrëveshjes është shumë më e thellë sesa nga fakti i thjeshtë se partia e Daçiç nuk po e mbron me aq zemrën presidentin Vuçiç në raport me çështjen e Kosovës për shkak të propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“SPS është ndoshta parti pak më demokratike se SNS, ka mendime të ndryshme dhe duket se Daçiç ose ka mbetur në pakicë brenda SPS ose nuk ka ende guximin të dëgjojë Vuçiç’in për sa i përket Rusisë”. Ka shtuar Bozhiç.

Një ditë më parë Mediumi opozitar serb “Danas” duke u thirrur në burime diplomatike ka raportuar se arsyeja e ndarjes së koalicionit qeverisës – Partisë Progresiste Serbe (SNS) dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) – qëndron në atë se Ivica Daçiç është shantazhuar nga Rusia dhe nuk do të mbështesë propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Sherri i ri mes SNS-së dhe SPS-së ndoshta është shkaktuar nga kushti i Rusisë ndaj Partisë Socialiste të Serbisë që të vazhdojnë të mbajnë distancë nga propozimi evropian për Kosovën. Nuk duket se gjithçka do të zgjidhet shpejt, duke marrë parasysh se deri ku ka shkuar e gjithë ‘marrëveshja’”.

Kjo plasaritje mes partive kryesore politike, sipas mediave opozitare serbe po shihet si një dramë e re në skenën politike të Serbisë.

Përveç kësaj mediat shkruajnë se “grindja” në fjalë mund të jetë edhe një performancë Vuçiç-Daçiç, për të larguar vëmendjen e publikut nga ajo që pritet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.