fbpx

Dëmtimi i pyjeve shekullore, skena aksion në Rrajcë për mbrojtjen e pemëve

Prerje të vjetra dhe të reja, pemë të mëdha dhe të vogla, që masakrohen sa nga banorët e zonës që përdorin drurin për ngrohje e gatim, aq edhe nga abuzuesit që e shesin dhe nxjerrin përfitime.

Kjo është panorama e një pjese të pyjeve në zonën e Rrajcës, në Librazhd, zonë kjo e vënë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ato pak punonjës të drejtorisë lokale të mbrojtjes së zonave të mbrojtura ndeshen çdo ditë me abuzuesit, të cilët rrezikojnë edhe jetën e personelit që tenton të mbrojë pyllin.

Kjo situatë ka ardhur sa nga pamundësia e institucioneve për të bashkërenduar punët, si dhe për të plotësuar drejtoritë përkatëse me personelin e duhur, aq edhe nga mosveprimi si duhet i institucioneve ligjzbatuese për ndëshkimin e atyre që identifikohen duke prerë pyjet në mënyrë të paligjshme.

Punonjësit e mbrojtjes së zonave pyjore, përveç rreziqeve të tilla, janë hasur edhe me kërcënime të drejtpërdrejta në orët e natës, madje u kanë dëmtuar edhe mjetet, ndërsa në rrugët e pyllit shikon edhe plumba.

Ashtu sikurse njerëzit që jetojnë pranë pyllit kanë nevojë për drurët e tij për ngrohje e gatim, ashtu edhe natyra ka nevojë për pyjet, që ato të ruhen dhe shfrytëzimi të bëhet në mënyrë të studiuar dhe jo kaotike, sipas dëshirave apo orekseve të individëve.