fbpx

City fiton Championsin për herë të parë

Manchester City ka shkruar histori të futbollit evropian. Për herë të parë në histori, City e ka fituar Ligën e Kampionëve. Në finale të Championsit, City fitoi me shumë mund ndaj Interit, me rezultatin 1:0.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Ataturk” në Stamboll u vendos në minutën e 68-të. Rodri shënoi gol me goditje të saktë nga zona. Aksionin e nisi Manuel Akanji, që gjeti bukur në zonë Bernardo Silvan. Silva ktheu topin te Rodri që goditi saktë për trofeun e parë të Ligës së Kampionëve për Cityn.

Me triumfin e së shtunës mbrëma, Manchester City ka përmbyllur një edicion shumë të suksesshëm. Ka kompletuar “tripletën”. Më herët ka fituar titullin e kampionit në Premier League e po ashtu Kupën FA. Këtë e ka arritur vetëm edhe Manchester Unitedi në vitin 1999.

Por City nuk ka dominuar ashtu si shumë njerëz kanë pritur. Interi ishte rival i barabartë dhe ka krijuar raste, sidomos pasi pranoi gol. Menjëherë në minutën e 71-të Federico Dimarco goditi traversën e më pas goditjen e tij e bllokoi Romelu Lukaku.

Sulmuesi i fuqishëm, Lukaku, kishte rast të artë në minutën e 88-të. Goditi me kokë nga afërsia, por topi shkoi drejt në Edersonin. City ruajti epërsinë dhe festoi suksesin historik.

https://twitter.com/i/status/1667640247901999108