fbpx

Britania e Madhe me vendim të madh: Industrinë e mbrojtjes e vë në gjendje lufte

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka njoftuar të martën se do të rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 2.5 për qind të bruto produktit të brendshëm dhe se industria britanike e mbrojtjes do të vihet në gjendje lufte. Sunak gjithashtu njoftoi fonde shtesë prej dhjetë miliardë eurosh për prokurimin afatgjatë të municioneve.

Bruto produkti i brendshëm i Britanisë do të arrijë gati 90 miliardë euro deri në vitin 2030.

“Gjatë gjashtë vjetëve të ardhshme, ne do të investojmë para shtesë në mbrojtjen tonë dhe të gjitha do të financohen pa huazim”, ka thënë Sunak në Varshavë.

Siç tha ai, Britania e Madhe nuk mund të jetë e kënaqur kur bota është vendi më i rrezikshëm që nga Lufta e Ftohtë.

“Ndërsa kundërshtarët tanë afrohen, ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur interesat dhe vlerat tona”, ka shtuar Sunak.

Britania do të dërgojë 500 milionë euro shtesë në Ukrainë.

“Këtë vit, shpenzimet tona totale për ndihmën për Ukrainën do të jenë 3.5 miliardë. Ne do të dërgojmë 400 automjete, 400 milionë fishekë, mbrojtje ajrore dhe raketa Storm Shadow”, ka thënë shefi i qeverisë britanike.

Sunak ka thënë se Britania nuk e zgjodhi situatën në të cilën ndodhet, “por se duhet të reagojë në mënyrë adekuate ndaj saj”.

“Ne duhet t’u tregojmë kundërshtarëve tanë se jemi të vendosur, të vendosur për të vepruar dhe se përpjekjet e tyre për të ndryshuar kufijtë tanë me forcë thjesht do të dështojnë, sepse aleatët tanë dhe ne do të jemi në vijën e parë të luftës për vlerat demokratike. Vladimir Putin dëshiron të na tërheqë në një botë ku forca brutale formëson kufijtë, jo zgjedhjet demokratike”, ka vlerësuar Sunak.

Sipas tij, Putini nuk do të ndalet në Ukrainë nëse do të fitojë. Ai vuri në dukje kërcënimin e vendeve si Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, të cilat kanë qasje në teknologjitë e avancuara gjithnjë e më shumë.

“Në këtë situatë, është e nevojshme të përgatitemi për mbrojtje”, shpjegoi Sunak.