Bashkëshorti i Vjosa Osmanit ia kërkoi shtetit 396 euro si shpenzime të tij pas infektimit me COVID-19

Sot u raportua në media se i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut Prindon Sadriu, burri i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani – Sadriut, kishte marrë nga buxheti i shtetit afro 400 euro (396 euro e 80 cent) si rimbursim të pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19.

Sipas raportimit të portalit Demokracia.com, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kundërligjshëm ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me COVID-19.

Në dokumetet e publikuar, kërkesa për rimbursim është bërë më 22 dhjetor 2020.

Vërtetësinë e këtij dokumenti nuk e pohon as nuk e mohon Gjergj Dedaj, i cili në atë kohë ka qenë ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, dhe përmes të cilit ka shkuar kjo kërkesë.

Dedaj tha se Sadriu në kohën e pandemisë nuk kishte qëndruar fare në Shkup.

“Nuk jam në dijeni. Sa kam qenë unë, në kohën e orës policore dhe kur ishte kulmi i virusit ai fare nuk ka ardhur në Shkup as në Ambasadë. Në fakt ka afër tre vjet që është aty në mision dhe kurrë s’ka marrë banesë, as nuk ka fjetur në Shkup që është obligim i diplomatëve me qenë në shtetin pritës 24/ 7. Ai nuk ka qenë aty, ka ardhur kur ka pasur dëshire dhe nuk i ka dhënë kujt llogari”- tha ai për Klan Kosova.