Austria, e para në Evropë që sot voton për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm

Parlamenti i Austrisë do të votojë të enjten për prezantimin e vaksinimit të detyrueshëm anti-COVID-19 për të rriturit, i pari i këtij lloji në Evropë.

Urdhri i hartuar nga qeveria do të zbatohet për të gjithë banorët e Austrisë të moshës mbi 18 vjeç, me përjashtime për gratë shtatzëna, individët që për arsye mjekësore nuk mund të vaksinohen dhe njerëzit që janë shëruar nga një infeksion në gjashtë muajt e fundit.

Duket se miratimi është i sigurt. Koalicioni qeverisës i kancelarit Karl Nehammer, i përbërë nga Partia e tij Konservatore Popullore Austriake dhe të Gjelbrit, punoi me dy nga tre partitë opozitare në parlament për planin. Partia tjetër opozitare, Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë, e kundërshton ashpër atë.

Plani është që detyrimi i vaksinës të bëhet ligj në fillim të shkurtit. Si fillim, autoritetet do t’i shkruajnë çdo familjeje për t’i informuar për rregullat e reja, raporton AP.

Nga mesi i marsit, policia do të fillojë të kontrollojë statusin e vaksinimit të njerëzve gjatë kontrolleve rutinë; njerëzve që nuk mund të japin prova të vaksinimit do t’u kërkohet ta bëjnë këtë dhe do të gjobiten deri në 600 euro nëse nuk e bëjnë këtë.

Nëse autoritetet vlerësojnë se progresi i vaksinimit të vendit është ende i pamjaftueshëm, Nehammer thotë se ata më pas do t’u dërgojnë kujtesë njerëzve që mbeten të pavaksinuar. Nëse kjo ende nuk funksionon, njerëzve do t’u dërgohet një caktim date vaksinimi dhe do të gjobiten nëse nuk e mbajnë atë. Zyrtarët shpresojnë se nuk do të kenë nevojë të përdorin masën e fundit. Gjobat mund të arrijnë në 3,600 euro nëse njerëzit kundërshtojnë dënimin dhe hapen procedurat e plota.

Urdhri supozohet të mbetet në fuqi deri në fund të janarit 2024. Një komision ekspertësh do t’i raportojë qeverisë dhe parlamentit çdo tre muaj për ecurinë e vaksinimit.