A po përgatitet Ukraina për luftë ndaj Rusisë

Nën moton “lavdi Ukrainës”, një grup personash kanë nisur “përgatitjet” për konfliktin që mund të ndodhë me Rusinë. Diku në periferi të Kievit, ukrainasit janë pajisur me armë të rreme, duke i kryer trajnimet ushtarake nga organizata “Total Resistance”, raporton Euronews.

Javëve të fundit janë ngritur zërat se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën, derisa raportet ndërkombëtare thonë se 100 mijë ushtarë rusë janë stacionuar në vijën e gjatë kufitare. Zyrtarët ukrainas, duke qenë të vetëdijshëm për forcën e tyre, shpresojnë në ndihmën e SHBA-së dhe BE-së.

“Ushtria ukrainase është e gatshme të mbrojë atdheun e saj. Aleatët tanë mund të përgjigjen me sulme ekonomike, ndërsa ne do të luftojmë në terren. Më vjen keq ta them këtë, por një numër i madh ushtarësh rusë do të vriten dhe shpresoj që edhe presidenti rus (Vladimir) Putin nuk e dëshiron këtë”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitro Kuleba.

Në fakt, Rusia llogaritet si superfuqia ushtarake numër dy në botë, pas SHBA-së, por as Ukraina nuk qëndron keq. Sidomos, e favorizon fakti që mbrohet e nuk sulmon, për çka duhet më pak personel e pajisje.