fbpx

12 Kullat e reja do të ndërtohen në Tiranë

12 kulla të reja do i shtohet Tiranës në zona si Liqeni Artificial, Bulevardi i Ri apo ish Blloku.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar 56 vendime, ku 12 prej tyre janë dhënë për kullat në kryeqytet.

Plot 320 kate mbi tokë dhe 44 kate nën tokë do të shtohen në kryeqytet me ndërtimin e këtyre kullave. Ky model zhvillimi dhe ndërtimi është kritikuar nga ekspertë dhe shoqëria civile.

Gjatë verës u mbajtën një sërë protestash për kullën 58 katëshe që do të ndërtohet në lulishten pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku u denoncuan dhe kullat e tjera që i janë shtuar qytetit.

Qendra e Tiranës është kthyer në një shesh ndërtimi “pa kriter” një model i kritikuar nga ekspertët e fushës. Ndërtimi i kullave shpesh është shoqëruar dhe me rrëmbimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet. I tillë është edhe rasti i Tirana Multifuncional Center, e cila  do të ngrihet mbi lulishten pas Pallatit të Operas dhe Baletit.

Në qendër të Tiranës po ndërtohen gjashtë kulla shumë katëshe, brenda territorit që dikur ishte zonë e mbrojtur historike. Vendimi Nr.582 i Këshillit të Ministrave (me kërkesë të Bashkisë Tiranë), i hapi rrugë tkurrjes së qendrës historike të qytetit.

Kjo ndërhyrje u kritikua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si e pabazuar në asnjë studim të mirëfilltë, veç interesave të biznesit të ndërtimit.

Qendra e Tiranë është aktualisht zona me intensitetin më të lartë të ndërtimeve të reja në Shqipëri, kullat e reja po i shtojnë qendrës një sipërfaqe ndërtimi prej më shumë se 256 mijë m2. Pavarësisht kësaj institucionet qendrore dhe lokale kanë “harruar” të miratojnë Planin e Detajuar Vendor për qendrën. Në faqen zyrtare të AKPT nuk ka asnjë Plan të Detajuar Vendor (PDV) për zonën TR/1 edhe pse zyrtarisht ky territor është subjekt i PDV-së.

Në vitin 2022, Bashkia Tiranë dha leje për rreth 1.81 milionë metra katror sipërfaqe ndërtimi. Krahasuar me qytetet e tjera të vendit, Tirana vijon të mbajë rekord, duke mbajtur kështu dhe peshën më të madhe të sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit. Në 2022, në Tirana u dha rreth 68% e totalit të lejeve që jepen në të gjithë vendin.​/Media Ndërtimi